Vendosni fjalën kyçe....

Berisha propozoi Primare për Kukësin, kandidati i propozuar nga Basha: S’i shërben konsolidimit e fushatës


Ndërsa kreu i Rithemelimit të PD-së Berisha ka hapur garën për primaret për Bashkinë e Kukësit në zgjedhjet lokale të 24 shtatorit, kandidati i propozuar nga baza, kreu i degës së PD-së në Kukës, Arif Rexhmati i është drejtuar me një letër të hapur krerëve të Rithemelimit.

Sipas tij, edhe pse ai mbështet parimin e konkurrencës, nuk është e udhës futja në primare kur nga zgjedhjet ka mbetur vetëm një muaj duke qenë se gjendja e brendshme e demokratëve nuk është e mirë.

“Ndonëse mbështes parimin e konkurrencës, gjykoj ashtu si shumë prej demokratëve se futja në një proces primaresh kur ka mbetur vetëm një muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokratëve vazhdon të vuajë pasojat e konfliktualitetit dhe të fajësimit, me gjithë qëllimin e mirë në vetvete, nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërisë së tyre për fushatën. Hatërmbetjet pas votimit krijojnë përçarja dhe jo bashkim të anëtarësisë, ndërsa besueshmëri e procesit jo vetëm që nuk jep garanci për bashkim, por mund të jetë burim konflikti gjatë dhe pas procesit me dëme të pariparueshme për rezultatin në zgjedhje.” – shkruan Rexhmati në Facebook.

PS-ka ka nxjerrë si kandidat për zgjedhjet Albert Halilajn ndërsa PD-ja e Bashës ka propozuar Rexhmatin duke i bërë thirrje Rithemelimit që të dalin me një kandidat të përbashkët.

Ndërkohë Rithemelimi ka propozuar si kandidatë Ardian Elezin, Arif Rexhmatin, Emri Vatën, Gëzim Shehun, Uran Cengun e Ylber Zenelin. Primaret pritet të zhvillohen më 27 gusht.