Vendosni fjalën kyçe....

Importet e bulmetit po dominojnë tregun, rritje me 23% në 7-mujor


Importet e bulmetit janë duke u rritur me shpejtësi këtë vit, ndryshe nga artikujt e tjerë të ushqimeve që kanë pësuar rënie të dukshme.

INSTAT raportoi se përgjatë 7- mujorit 2023 importet e ushqimeve mbeten thuajse në vendnumëro krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë, teksa vendi po përballet me një fluks të jo të zakonte të turistëve me një rritje mbi 30 për qind.

Nga ana tjetër importet e bulmetit u rriten me 23 për qind gjatë 7 mujorit, duke bërë që dominanca e tyre në treg të rritet vit pas viti. Gjatë vitit të kaluar importet e bulmetit në sasi ishin sa 25 për qind e qumështit të grumbulluar në vend nga 13 për qind që ishte në vitin 2017.

Pesha e produkteve të bulmetit të importuar do të jetë edhe më e lartë këtë vit për shkak se sasia e importeve është rritur me tej.

Në mungesë të prodhimit vendas të qumështit fabrikat e përpunimit i janë kthyer importeve nga jashtë të lëndës së parë.

Në raftet e supermarketeve markat e huaja të qumështit dhe bulmetit në përgjithësi konkurrojnë në çmime prodhimet vendase.

Shoqata e përpunuesve të qumështit ka sqaruar me herët për Monitor se produktet e importit kanë avantazh mbi të gjitha për shkak të kostove shumë më të ulëta që kanë në sektorin e përpunimit të qumështit, sepse kanë çmimin e qumështit të freskët që blihet nga blegtorët 35-45% më të lirë sesa në vendin tonë. Kanë subvencione shumë herë më të larta sesa blegtorët shqiptarë. Kanë çmime më të mira të naftës, energjisë elektrike dhe gazit.

Konsumatorët prej kohësh janë duke u përballuar me çmime të larta të prodhimeve blegtorale. Eurostat e renditi Shqipërinë në mesin e 14 vendeve më çmimet më të larta të produkteve të bulmetit në vitin 2022, me rreth 11% me te larta se mesatarja e BE-së.

Prej vitesh dega kryesore e bujqësisë, blegtoria ka hyrë në një cikël krize ku rënia e bagëtive të qumështit po thellohet nga viti në vit. Në vitin 2021 krerët shënuan rënie vjetore rreth 7%, ndërsa në vitin 2022 rreth 13%. Ky vitet pritet të jetë edhe më i vështirë.

Bashkimi Europian ka bllokuar fondet nga skema e IPARD, ndërsa skema kombëtare ofron mbështetje të ulet me 10 mijë lekë për krerë për gjedhin, por edhe kjo po shpërndahet në mënyrë të pjesshme për shkak të aplikimeve më të mëdha të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 (në vitin 2015) në më pak se 2800 në vitin 2020, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit. Por numri i tyre është tkurrur me fort pas vitit 2020 deri aktualisht./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor