Vendosni fjalën kyçe....

I vodhën biznesin dhe më pas e kanosën të tërhiqte kallëzimin, arrestohen katër persona në Krujë


Katër persona janë arrestuar nga policia në Krujë pasi akuzohen për kanosje. Policia bën të ditur se ata kanë kanosur me armë zjarri pronarin e një biznesi, që të tërhiqte kallëzimin për njërin nga të arrestuarit, për vjedhje në biznesin e tij.

Të arrestuarit janë Elton Babasi, Altin Hima, Aurel Hasa dhe Sadri Hima.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në lagjen “Kastrioti”, Fushë Krujë, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Step by step”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve: E. B., 25 vjeç, A. H., 18 vjeç, të dy banues në fshatin Zallë; S. H., 42 vjeç dhe A. H., 18 vjeç, të dy banues në Borizanë.

Shtetasi S. H. dyshohet ka vjedhur në një biznes (njësi tregtare makinash), në pronësi të shtetasit B. H., i cili ka bërë kallëzim në Polici, për këtë shtetas. Më pas, shtetasi S. H., bashkë me 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, ka kanosur me armë zjarri shtetasin B. H., për të tërhequr kallëzimin. Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi S. H. ka kultivuar bimë narkotike që janë gjetur në fshatin Picrragë”, njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu çifte, 2 celularë dhe bimët e dyshuara narkotike kanabis.