Vendosni fjalën kyçe....

PD me një anëtar në KZAZ për zgjedhjet e Kukësit, Karabina e ankimon: Celibashi mori vendim politik


Partia Demokratike ka ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që PD-ja të ketë një anëtar në KZAZ në zgjedhjet e 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit pas dorëheqjes së Safet Gjicit.

Zëdhënësja e PD-së Mirela Karabina tha se kreu i KQZ-së Celibashi, njësoj si në zgjedhjet e 14 majit ka marrë vendim politik kundër PD-së duke i shërbyer oligarkisë politike, teksa ka emëruar Partinë e Lirisë si partinë më të madhe opozitare.

Karabina theksoi se Kodi Zgjedhor se anëtarët e KZAZ-ve duhet të ndahen mes shumicës parlamentare me opozitën parlamentare, gjë që sipas saj nuk ka ndodhur duke qenë se Partia e Lirisë do ketë 2 anëtarë edhe pse ka 4 deputetë ndërsa PD-ja vetëm 1 anëtar edhe pse ka 59 deputetë.

“Komisioneri Celibashi, edhe njëherë si në zgjedhjet lokale të 14 majit, ka marrë një vendim politik kundër Partisë Demokratike dhe në shërbim të oligarkisë politike, duke emëruar Partinë e Lirisë si partinë më të madhe opozitare në shkelje të hapur të ligjit. Nëse më 14 maj ndodhi transferimi politik i votës nga Foltorja tek Partia e Lirisë, sot Komisioneri po bën transferimin ligjor duke i konsideruar votat e demokratëve si të LSI-së.

Kodi Zgjedhor përcakton qartë se anëtarët e KZAZ, ndahen mes shumicës parlamentare me opozitën parlamentare. Por Komisioneri ka caktuar që në KZAZ-në e Kukësit, 2 anëtarë do të jenë nga PL (LSI) e cila ka nxjerrë 4 deputetë dhe 1 anëtar do të jetë nga PD që ka nxjerrë 59 deputetë. Vendimi i Komisionerit Celibashi konfuzon qëllimisht demokratët dhe elektoratin opozitar të Kukësit duke cënuar integritetin e procesit. Partia Demokratike ka ankimuar vendimin antiligjor të Komisionerit mbi emërimin politik të opozitës.

Ndërkohë që qytetarët e Kukësit vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të qytetit nga keqqeverisja lokale e korruptuar, pēr fatin e tyre nuk mund të vendosin interesat e sëmura të Tiranës. Demokratët e Kukësit duhet të dalin mbi këtë zallamahi interesash personale, të kujdo qofshin ato. Qytetarët kuksianë meritojnë të qeverisen ndershëm me përkushtim dhe pa hije korrupsioni nga pas. Dhe kjo mund të arrihet vetëm me zgjedhjen e një kandidati i cili vendos Kukësin dhe familjet kuksiane para intrigave meskine politike dhe që detyrën e konsideron si përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.’- tha Karabina.