Vendosni fjalën kyçe....

Ministri grek paralajmëron Shqipërinë për Fredi Belerin: Ta harrojë integrimin e fondet nga BE-ja, do e paguajë shtrenjtë


Ministri i Punës në qeverinë greke ka paralajmëruar Tiranën se duhet ta harrojë rrugën e saj evropiane si dhe fondet nga BE-ja nëse nuk liron nga burgu Fredi Belerin.

Në një intervistë për televizionin grek ERT, Adonis Georgiadis theksoi se mosftesa e kryeministrit shqiptar Rama në samitin e thirrut nga kryeministri grek Mitsotakis në Athinë është tregues i qartë i qëndrimit të Athinës për çështjen ‘Beleri’.

Sipas tij nëse Shqipëria nuk ndryshon kurs për rastin në fjalë, marrëdhëniet mes dy vendeve do përkeqësohen për një periudhë të pacaktuar.

“E konsideroj shumë të rëndësishme që Rama nuk është ftuar. Vendimi i Kyriakos Mitsotakis për të ftuar të gjithë të tjerët, përveç Ramës dhe të gjithë të tjerët të jenë aty veç Ramës, mendoj se tregon se çështja e Fredi Belerit nuk kalon pa reagim nga qeveria greke.” – tha ministri.

Georgiadis theksoi më tej se ‘ata që menduan se Kyriakos Mitsotakis do rezultonte një kryeministër i butë në reagimin e tij për këtë çështje, e kishin gabim. Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryebashkiakut të ri të Himarës Fredi Beleri, ata do duhet të harrojnë kursin e tyre evropian dhe paratë nga Evropa’.

Ministri grek paralajmëroi Shqipërinë se do e paguajë shumë shtrenjtë nëse lejon betimin e një kryebashkiaku tjetër veç Belerit dhe nëse vijon  të shkelë të drejta e grekëve të Epirit të Veriut.
“Greqia ka deklaruar tashmë se po bllokon gjithçka. Shqipëria duhet t’i harrojë paratë nga Evropa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryetar i Bashkisë së Himarës”, vuri në dukje ai.

Ai u shpreh gjithashtu se nëse shqiptarët guxojnë të lënë të betohet  një kryetar tjetër bashkie ose të bëjnë sërish zgjedhje, duke e mbajtur Belerin në burg, ky do jetë një faktor për Greqinë për marrëdhënie të këqija me Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar.

“Shqipëria do e paguajë shumë shtrenjtë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve të Vorio Epirit”, shtoi Georgiadis, duke shtuar se Shqipëria duhet të rishikojë qëndrimin e saj ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.