Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e la në burg, avokati i Fredi Belerit: Po mbahet politikisht, s’ka pasur asnjë bisedë mes tij e agjentit të infiltruar


Avokati i Fredi Belerit tha sot se klienti i tij po mbahet politikisht në burg.

Pas përfundimit të seancës ku Gjykata e Posaçme e la sërish në burg klientin e tij, Edmond Demo deklaroi se nuk ka pasur asnjë bisedë mes agjentit të infiltruar të policisë dhe Belerit.

Sipas tij mbajtja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës në burg është me urdhër.

“Jemi të bindur që ai po mbahet politikisht në burg. Kemi bërë kërkesën edhe këtë radhë për zëvendësimin e masës së sigurimit. E bëmë më 31 korrik, sipas ligjit duhet të ishte bërë seanca brenda 5 ditësh. Gjykata e bëri pas 21 ditësh, vendosi ato që kishin vendosur paraardhësit. Përmbajtja e atyre akteve solli që të bëjmë këtë kërkesë sepse më 31 korrik na u vunë në dispozicion disa prova që nuk i dinim. Që nga caktimi i prokurorit të shkallës së parë, një ditë më pas dhe veprimet nisën një ditë më parë. Kjo sjell pavlefshmëri të të gjitha akteve. Duhet të konstatoheshin dhe nga Gjykata. Nuk ka pasur asnjëherë bisedë me agjentin e infiltruar të policisë, nuk ka as sot. Nuk e dimë logjikën deri ku do vejë. Ne e dimë deri diku që është me urdhër dhe këta e dinë. Beleri kërkoi të drejtën e tij, si gjithmonë. Të lirohet dhe të marrë detyrën e tij siç e ka votuar populli.” – tha avokati i Belerit.