Vendosni fjalën kyçe....

Lulëzimi i turizmit, të huajt në hotele u rritën me 76.4%, kryesojnë polakët dhe italianët


Lulëzimi turistik i Shqipërisë këtë vit është reflektuar qartësisht edhe në qershor.

Të dhënat mujore të publikuara nga Instituti i Statistikave për strukturat akomoduese tregojnë një rritje me 76.4 për qind të vizitorëve jo-rezident.

“Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 49,7%, në krahasim me Qershor 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 12,2%; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 76,4%”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Ndërkohë numri i i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 52,8%, në krahasim me Qershor 2022 ku numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 36,0% dhe nga jo-rezident është rritur me 60,7%.

Sa i takon shtetësisë së vizitorëve INSTAT vëren se përveç shqiptarëve të Kosovës që historikisht ka shifrën më të lartë, polakët janë ata që kryesojnë nga vendet e BE-së me 9.2 për qind, italianët të dytët me 8.3 për qind dhe më pas vijnë Gjermania me 7 për qind dhe Spanja me 4.3 për qind.

Të gjithë drejt Jugut

Vizitorët sipas INSTAT gjatë muajit qershor i janë drejtuar kryesisht Jugut të vendit dhe zonës bregdetare.

“Gjatë muajit Qershor 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 49,7%, krahasuar me Qershor 2022. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,5 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 75,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 70,0%”, thuhet në publikim.

Sipas INSTAT në muajin Qershor 2023, numri më i lartë i vizitorëve sipas rajoneve është në “Rajonin Qendër“ (40,2%), sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (63,1%) dhe sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (91,2%).

Netë qëndrime

“Gjatë muajit Qershor 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 52,8%, në krahasim me muajin Qershor 2022. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,7 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 46,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 56,4%”, vlerëson INSTAT.

Numri më i madh i netqëndrimeve ka qenë në rajonin e Jugut me 43.3 për qind. Sa i takon zonave të afërsisë me bregdetin ato zënë 72.5 për qind ndërsa sa i takon llojit të strukturave kryesojnë “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,0%).

Norma neto e shfrytëzimit

“Normat neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 28,5%, kundrejt 22,9% që ishte në muajin Qershor 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 30,5%, kundrejt 23,2% që ishte në muajin Qershor 2022” nënvizon INSTAT.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor