Vendosni fjalën kyçe....

Balla në Sarandë: Krimi mjedisor është i patolerueshëm, të rrisim prezencën dhe kontrollin në territor


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me strukturat e pushtetit vendor në Sarandë.

Gjatë fjalës së tij, Balla ka ngritur shqetësimin e ndërtimeve pa lejë, ku deklaroi se fenomeni i krimeve mjedisore është i patolerueshëm dhe se duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Balla gjithashtu ka kërkuar rritjen e prezencës dhe kontrollin në territor duke bërë të mundur mbrojtjen e pasurisë natyrore.

“Jam sot në Sarandë edhe me shqetësimin që vjen nga fakti që Policia e Shtetit ka identifikuar para dy ditësh, disa ndërtime pa leje, pikërisht në një prej zonave më të bukura të turizmit shqiptar si Ksamili. Dhe dua që Kryetarit të bashkisë dhe të gjitha strukturave të tjera ligjzbatuese, t’i kujtoj se për ne, krimi mjedisor është i pa tolerueshëm. Dhe duhet të bëjmë gjithçka në ditët, javët dhe muajt në vijim, për të rritur prezencën tonë dhe kontrollin ndaj territorit. Është e vërtetë, ne jemi shumë krenarë për faktin që Saranda, Ksamili dhe të gjitha destinacionet e tjera turistike, që mbulon bashkia Sarandë janë sot në faqet e gazetave dhe mediave kryesore botërore, me emërtesat më të bukura si, “Karaibet e Europës”, apo “Maldivet e Europës”. Por ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që këtë pasuri që na ka falur Zoti dhe natyra, ne të bëjmë ç’është e mundur për t’i mbrojtur ato. Dhe prandaj është shumë e rëndësishme të rrisim prezencën dhe kontrollin tonë në territor”.

Në fjalën e tij ministri Balla nuk la pa përmendur edhe fenomenin e zjarrvënies ku ka theksuar se kjo përbën një vepër penale dhe dënohet deri në 15 vite burg. Gjithashtu Balla ka kërkuar bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes institucioneve përkatëse.

“Nënprefekti sëbashku me Prefektin, do duhet të drejtojnë punën për të gjitha masat që duhen ndërmarrë në luftën kundër fenomenit të zjarrvënies. Vitet e kaluara kemi pasur në Sarandë shumë raste të cilat kanë shkatërruar pasuri të rëndësishme pyjore të Sarandës. Dhe prandaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm, ndërsa presim në ditët dhe javët në vijim një rritje të temperaturave, kjo shoqërohet shpeshherë edhe më rritje të numrit të zjarreve.

Këtë vit i kemi dalë përpara me një rol të shtuar të Policisë së Shtetit për të identifikuar gjithkënd që është i përfshirë në zjarrvënie, qoftë me dashje apo pa dashje. Dua të kujtoj këtu që Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë përcakton dënim deri në 15 vite burg për këdo që përfshihet në zjarrvënie. Ne na duhet një koordinim edhe më i mirë mes bashkisë, institucionit të Prefektit, Policisë së Shtetit dhe, natyrshëm, edhe me institucionin e Prokurorisë për t’i dalë përpara këtij fenomeni”.