Vendosni fjalën kyçe....

Vasili kërkesë zyrtare Nikollës: Më informoni mbi letrën e Autoritetit të Dosjeve që ju tronditi aq shumë



Deputeti Petrit Vasili i është drejtuar sot me një kërkesë zyrtare për informim kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla lidhur me atë që ai e quan “aferën e Autoritetit të Dosjeve”.

Ai e ka fjalën për letrën e Autoritetit të Dosjeve që ngriti dyshimet mbi ish-presidentin Ilir Meta, se ai paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

LETRA E PLOTË:

Ju keni dalë dje publikisht dhe informuat publikun se ishit shumë e tronditur nga një letër, bazuar mbi email anonim, që ju paskësh dërguar Autoriteti i Dosjeve. Gjithashtu ju, i deklaruat publikut se keni thirrur me urgjencë dhe keni informuar Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe Kryetarët e Komisioneve të Ligjeve dhe të Sigurisë.

Kërkoj nga ju që të më informoni lidhur me këtë letër, që ju tronditi kaq shumë e që siç mësojmë nga mediat është thjesht bazuar mbi një farë e-mail anonim.

Keqpërdorimi dhe shpërdorimi skandaloz i Kuvendit të Shqipërisë duke e vendosur atë në funksion të skenarëve të neveritshëm politikë, të ndërtuar me regji të qeverisë e për qëllimet e saj, e me skenare të ngjashëm me ata të Sigurimit të Shtetit të dikurshëm dhe të bazuar mbi letra anonime e të tjera perversitete antiligjore e antishtet, ju ngarkon me përgjegjësi tepër të rëndë.

Është fakt që Ju nuk u tronditët aspak dhe as nuk Informuat fare deputetët kur Kuvendi i Shqipërisë, që ju drejtoni, fallsifikoi dhe manipuloi haptas dhe në mënyrë skandaloze dokumentet, që i dërgoi Gjykatës Kushtetuese në rastin e kërkesës për shkarkim të Presidentit Z.Ilir META, me qëllim manipulimin dhe mashtrimin e Gjykatës dhe duke keqpërdorur Kuvendin e Shqipërisë për këtë qëllim të ulët, e për të cilin Kuvendi është i paditur në SPAK si kurrë ndonjë herë më parë në historinë e tij.

Detyrimi për informim nga ana juaj është një detyrim i pakapërcyeshëm sepse Kuvendi i Shqipërisë as ka qenë dhe as do të jetë pronë e Kryetarit të Kuvendit, por është institucioni themelor nga buron Republika jonë Parlamentare dhe ku ekzistenca e këtij Kuvendi janë vetëm tërësia e njëqind e dyzet deputetëve të barabartë e të zgjedhur me votën e popullit.

Dua t’ju kujtoj që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe publikisht u jam drejtuar mjaft herë edhe më parë për bllokimin skandaloz të projektligjeve tepër të rëndësishëm deri dhe atyre, që reflektojnë vendime të Gjykatës Kushtetuese, por ju as nuk jeni tronditur dhe as nuk keni lëvizur gishtin për të bërë dhe atë pak detyrë administrative, që keni.

Duke qenë se, tronditja juaj e madhe në një ditë të nxehtë vere, që lindi pas një letre anonime ju shkaktoi një shqetësim kaq të madh, ju kërkoj sërish të na vini në dispozicion këtë informacion, pasi ju kujtoj se lidhur me të drejtën për informim nuk ka asnjë të privilegjuar në Kuvendin e Shqipërisë ku një Kryetar Kuvendi e ca kryetarë grupesh paskan të drejtën të informohen, ndërsa deputetëve u mohohet kjo e drejtë legjitime dhe fondamentale.