Vendosni fjalën kyçe....

Anëtarët e ‘Los Lobos’ mohojnë të kenë vrarë kandidatin presidencial në Ekuador (Video)


Më shumë konfuzion rreth autorësisë së vrasjes së kandidatit për presidencën e Ekuadorit, Fernando Villavicencio.

Menjëherë pas vrasjes së politikanit në një shkëmbim zjarri të enjten, anëtarët e dyshuar të grupit kriminal Los Lobos morën përgjegjësinë me një video ku shfaqeshin me maska, të veshur me të zeza dhe të armatosur rëndë dhe kërcënonin se do vrisnin sërish politikanët.

Tani është shfaqur një tjetër video ku një grup tjetër personash, këtë herë me fytyrat e zbuluara, pretendojnë se janë anëtarët e vërtetë të Los Lobos dhe sigurojnë se grupi nuk mban përgjegjësi për krimin.

“Ekuadorianë, mos u mashtroni. Ne jemi GDO (grupi i krimit të organizuar) Los Lobos, ne nuk mbulojmë fytyrat tona, askush nuk flet në emrin tonë dhe ne respektojmë paqen”, thotë një burrë në video, me origjinë të panjohur, në të cilën ai shfaqet i rrethuar nga disa burra veshur me të bardha, shkruan El Debate.

“E bëjmë të qartë se nuk kemi vrarë asnjëherë njerëz nga pushteti apo civilë dhe sqarojmë se video që qarkullon në rrjetet sociale, në të cilën një grup personash me fytyrë të mbuluar, me pushkë sulmi, paraqiten si anëtarë të organizatës sonë është krejtësisht false”, theksuan ata.

Personi që vepron si zëdhënës në video siguron se asnjë nga ata që shfaqen në videon që qarkulloi mbrëmjen e së mërkurës nuk i përket Los Lobos dhe thekson se me këtë “është e qartë se grupet e tjera kriminale duan të destabilizojnë vendin, dhe të bëjnë përgjegjës, Los Lobos, për tragjedinë që po ndodh në Ekuador”.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që “të hetojnë dhe të gjejnë fajtorët e vërtetë dhe të mos gënjehen nga personat që bëjnë video, duke mbuluar fytyrën, për të mos marrë përgjegjësi për veprimet e tyre, të cilat kërcënojnë sigurinë e shtetit në qytetarë”.

Deri më tani asnjë autoritet nuk i është referuar shpërndarjes së këtyre videove, të cilat për momentin nuk kanë një origjinë të qartë se si kanë filluar të shpërndahen përmes grupeve të mesazheve dhe rrjeteve sociale.

Si rezultat i sulmit, gjashtë persona janë arrestuar në bastisje të ndryshme në Quito, megjithëse autoritetet nuk kanë treguar nëse personat e arrestuar janë anëtarë të Los Lobos.

Los Lobos është një nga bandat më të mëdha kriminale që vepron në Ekuador dhe një nga shkaktarët e krizës së sigurisë që po kalon vendi, si dhe të serisë së masakrave të burgjeve ku janë vrarë më shumë se 400 të burgosur që nga viti 2020 në përleshjet mes gruoeve kriminale, të cilat kundërshtojnë kontrollin e brendshëm të burgjeve në Ekuador.

Sipas autoriteteve, Los Lobos, si dhe bandat e tjera të krimit të organizuar që veprojnë në Ekuador, si Los Tiguerones ose Los Choneros, bëjnë kryesisht trafik droge dhe zhvatje midis bizneseve të tyre të paligjshme.

Pjesa më e madhe e kësaj dhune kriminale ndodh kryesisht në brigjet e Ekuadorit, ku kalon një nga rrugët kryesore të trafikut të drogës, gjë që i ka bërë portet ekuadoriane trampolina të mëdha për të dërguar sasi të mëdha kokaine në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara përmes tregtisë detare.

Rritja e vrasjeve bëri që Ekuadori të thyente rekordin e vdekjeve të dhunshme në vitin 2022 me një normë prej 25.32 për 100,000 banorë, më e larta në historinë e tij.

do