Vendosni fjalën kyçe....

Bankat në Kosovë fituan mbi 65 milionë euro për pesë muaj


Në Kosovë bankat komerciale kanë ecuri tejet pozitive. Kështu po thotë një raport i Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas këtij raporti, për 5 mujorin e parë të këtij viti, bankat kanë raportuar një fitim neto prej 65 milionë euro.

BQK-ja thekson se këto fitime, vijnë si rezultat i normave të larta të interesit në kredi, si dhe nga tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), të cilat në vitin 2022 pothuajse të gjitha janë rritur në emër të inflacionit të lartë që po mbretëron në Kosovë e rajon.

Në raport thuhet se në muajin maj, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 157.5 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 118.1 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 91.6 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 13.3 milionë eurove. Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin maj mbetën në vlerën 6.5 për qind.

Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ishte 6.1 për qind njësoj si në prill, kurse për ato konsumuese mbeti po ashtu njësoj si në prill në 6.5 për qind, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare u rrit në 6.8 për qind nga 6.5 për qind sa ishte në muajin prill të këtij viti.

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin maj të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 643.3 milionë nga 4 miliardë e 562.8 milionë euro sa ishte vlera në prill. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 747.2 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 864.9 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 15.6 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit maj 2023, arritën në 5 miliardë e 604.3 milionë euro, nga 5 miliardë e 575.0 milionë sa ishte vlera e tyre në prill. Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 806.4 milionë euro.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro. Në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj./Fatos Shala

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor