Vendosni fjalën kyçe....

Diplomatja e lartë amerikane takohet me krerët e juntës në Niger


Një diplomate e lartë amerikane udhëtoi për në Niger të hënën, ku pati bisedime ‘të çiltërta’ dhe ‘të vështira’ me drejtuesit e grushtit të shtetit.

“Ata janë mjaft të vendosur në pikëpamjen e tyre se si duan të vazhdojnë dhe kjo nuk përputhet me kushtetutën e Nigerit,” u tha gazetarëve gjatë një telekonference ushtruesja e detyrës së Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe Nënsekretarja për Çështjet Politike, Victoria Nuland.

“Ne vazhduam të hapim derën për të vazhduar bisedën. Por përsëri, ishte e vështirë sot, dhe unë do të flas drejtpërdrejt për këtë,” tha ajo.

Nuland tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken i kërkoi asaj që të bënte udhëtimin në Niger ndërsa ishte në Jeddah të Arabisë Saudite për të marrë pjesë në bisedimet e paqes për Ukrainën. Ajo shtoi se SHBA ‘dëshironte të fliste çiltërisht me njerëzit përgjegjës për këtë sfidë ndaj rendit demokratik për të parë nëse ne mund të përpiqemi t’i zgjidhim këto çështje në mënyrë diplomatike’.

Ajo tha se ishte gjithashtu në gjendje të takohej me një ‘seksion të gjerë’ të shoqërisë civile nigeriane, duke përfshirë ‘miq të vjetër’ të SHBA-së, gazetarë dhe aktivistë.

Nuland u takua gjithashtu me Moussa Salaou Barmou, shefin e vetëshpallur të mbrojtjes, dhe tre kolonelët që e mbështesnin atë.

Ajo tha se kërkesat e saj për t’u takuar me Presidentin Mohamed Bazoum u hodhën poshtë.

Më herët të hënën, Departamenti i Shtetit konfirmoi se SHBA ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me krerët e grushtit të shtetit në Niger ‘në javën e fundit’ për t’i nxitur ata të ‘largohen mënjanë’.

Më 26 korrik, një grup ushtarësh që e quanin veten Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Vendit morën pushtetin pasi arrestuan Presidentin Bazoum, duke thënë se ata e morën këtë hap për shkak të ‘përkeqësimit të gjendjes së sigurisë dhe qeverisjes së keqe’.

Bazoum u zgjodh në vitin 2021 në tranzicionin e parë të pushtetit demokratik të Nigerit që kur fitoi pavarësinë nga sundimi kolonial francez në vitin 1960.

Shumë vende si dhe blloqe rajonale kanë kërkuar që presidenti i rrëzuar të rikthehet në detyrë. Udhëheqësi i grushtit të shtetit, gjenerali Abdourahamane Tchiani, megjithatë, i ka hedhur poshtë thirrjet si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), i cili përbëhet nga 15 vende, do të mbajë një tjetër takim urgjent të enjten për të diskutuar krizën.