Vendosni fjalën kyçe....

Dash Sula: SPAK të hetojë burimet financiare të kompanive që ndërtojnë ‘Malin e Tiranës’ e kullat e tjera, t’i shkohet në themel problemit


Deputeti i PD-së i ka bërë thirrje SPAK-ut që të hetojë kullën ‘Mali i Tiranës’ e t’i shkojë në themel problemit.

Përmes një shënimi në Facebook, Sula shkruan se e ka ngritur shqetësimin e kullës në fjalë që në datën 13 prill të këtij viti kur ajo ka qenë ende në fazë projekti.

Sipas tij, shumë nga kompanitë që kanë marrë leje për kulla nuk kanë kapacitet financiar për ndërtimet në fjalë, ndërkohë që nuk kanë marrë as kredi në bankat e nivelit të dytë.

Sula shkruan se vetëm duke i shkuar në themel problemit mund të dilet nga problem i pastrimit të parave të pista të krimit.

“Dy nga rreziqet qe i kanosin Shqipërisë kullat prej betoni dhe çeliku.

Më 13 prill të këtij viti kur kulla gjigande që do ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit ishte në fazë projekti, në Parlament ngrija shqetësimin për rrezikun; miliona metër katrorë leje ndërtimi për 10 kompani. Shumica prej tyre nuk kanë burim financiar për të realizuar këto ndërtime. Edhe më keq akoma, shumica prej tyre nuk kanë marrë as kredi në bankat e nivelit të dytë.

“Ndiq Paranë”, kjo është ajo që këshillohet për ti shkuar në fund paligjshmërisë.

Zhurma e momentit tani kur çdo gjë është bërë fakt dhe lulishtja ku do ndërtohet kulla është rrethuar mund të jetë pak populiste, por ajo nuk u zgjidh problemet.

Ndaj që të shpëtojmë edhe hapsiarat e gjelbërta të parqeve dhe lulishteve të Tiranës dhe Shqipërisë duhet të shkojmë pak më në brendësi të problemit.

A kanë kapacitete financiare kompanitë e mëdha në Shqipëri për të ndërtuar kulla me vlerë deri në 200 milionë euro?! Nëse nuk kanë, a kanë marrë kredi për financimin e projektit? Nëse edhe këtë element nuk e kanë ezauruar (që siç qarkullojnë informacionet, nuk e kanë ezauruar), atëherë nga i gjejnë paratë?

Këtu duhet të inkurajojmë SPAK dhe ta mbështesim që të ndjekë paratë. Vëtëm kështu i shkohet në themel problemit dhe shpëtojmë edhe hapsirat publike nga betoni por edhe dalim nga lista gri e moneyval që na konsideron si “parajsë e pastrimit të parave”.” – shkruan Sula.