Vendosni fjalën kyçe....

Berisha ka shumë gabime, por kulla nuk është një ndër to


Nga Enri Ceno

“Mali i Tiranës” siç edhe do quhet kulla më e re në lulishten pas operas, nuk ka asnjë lidhje me blerjen e opozitës, nuk është kulla e Shkëlzenit apo Saliut siç e paraqet Mero Baze apo ata ndjekës të pakët të Lulit por është pjesë e projektit të Edi Ramës dhe Rilindjes të pastrimit të pareve të pista nëpërmjet sipërmarrësve në vend si cdo kullë tjetër në qendër pjesë e planit Francez të famshëm apo resortet në jug.

A janë Ilir Shtufi e Agim Zeqo miq të Shkëlzen Berishës? Po janë.

A e implikon kjo Shkëlzenin, Saliun dhe Rithemelimin tek kulla 58 katëshe? E implikon aq sa implikoi Lulzim Bashën dhe PD-në kur investitori i tij mori tenderin 20 milionë euro të mbetjeve në Durrës nga çunat e inceneratorëve. Pra hiç, unë si sipërmarrës i angazhuar në politikë di ti ndaj interesat e ti kuptoj vështirësitë që sipërmarrësit hasin.

Leja e ndërtimit të asaj kulle nuk është marrë as nga ndërhyrja e Shkëlzenit e as si pasojë e impotencës së opozitës në aksione të ndryshme por vetëm se këta dy biznesmenë kanë flukse financiare të atilla për të mbuluar pastrimin.

Në këto 30 vite, interesat financiare janë ndërlikuar aq shumë sa është e vështirë të ndash kush është me kë. Ilir Shtufi edhe pse mik i Shkëlzenit prej të paktën 10 vitet e fundit është investitor i PS-së në fushata elektorale.

Para së të shkruaja këtë status mu desh të hulumtoja pak për të mos bërë figurën e idiotit dhe rezulton se deri më 2013 kur Shkëlzeni ishte omnipotent, Ilir Shtufi nuk ka përfituar asnjë tender publik apo konçension ndërkohë që me rilindjen përgjatë periudhës 2013-2021 ka përfituar liçensa për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në qarkun Korçe dhe gjithashtu statusin e investitorit strategjik ku në bashkëpronësi me Agim Zeqon do ndërtojnë po në Korçë një kompleks turistik dhe disa tendera nga rindërtimi.

E vërteta është se Edi Rama ka krijuar një sistem kriminal financiar që është kthyer në një përbindësh që vetëm zmadhohet e të pakontrollueshëm. Një vorbull nga e cila nuk del dot më, edhe ata të cilët japin lejet e ndërtimit janë të detyruar ti japin, edhe sipërmarrësit janë të detyruar të financojnë edhe bankat janë të detyruara të kreditojnë për të mbuluar këtë lavatriçe të madhe që shumë shpejt Shqipërinë dhe Shqiptarët do i çojë në një krizë financiare e sociale të pashembullt.

Nëse Shqipërisë i mbyllet kanali i narkotikëve nga ndërkombëtarët, qeveria Shqiptare që e ka bazuar të gjithë ekonominë e saj në këtë lavatriçe të stërmadhe, nuk do të ketë mundësi as të paguajë rrogat e administratës e pensionet.

A ka faje PD-ja në krijimin e një sistemi të tillë? Ka edhe ajo gjynahet e saja pasi ka qeverisur për plot 13 vite e mund të ishin krijuar mekanizma parandaluese por PD-ja nuk është bashkëautore në krimin e Edi Ramës siç po duan ta shesin fatorinot e Rilindjes.

A ka zgjidhje për një krizë të tillë? Patjetër që ka, një ofertë e djathtë e vërtetë, ate që PD-ja kurrë nuk e ofroi të plotë, ajo që bëri Italinë brenda një kohe të shkurtër të ketë nivelin më të lartë të punësimit të regjistruar ndonjëherë dhe sigurinë e individit si në kohërat më të mira.