Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeredaktori i Syri TV: Ndërtuesi i kullës është ndër financuesit kryesorë të Foltores


Ish-kryeredaktori i SYRI TV, Leonard Quku, ka reaguar në lidhje për ndërtimin e kullës me 58 kate e cila do të ngrihet në zemër të kryeqytetit.

Quku në postimin e tij shkruan se nuk është kundër zhvillimit apo investitorëve, por si gjë shqetësuese ai e quan faktin e ‘heshtjes’ së opozitës ndaj bërjes publike të lejës që kthen në beton lulishten e fundit në Tiranë, duke shtuar se deputetët e zëshëm të PD të rreshtuar në anën e Rithemelimit, kanë marrë urdhër të mos ndjehen.

Quku vijon se për këtë arsyeja është e thjeshtë, pasi biznesmeni që po ndërton është financues i aktiviteteve të Rithemelimit dhe disa mediave përreth.

“Këtu nuk ka opozitë që ndjek kauzat, kjo është opozitë që ndjek interesat e zengjinëve të saj”, shkruan Quku.

 

Statusi i plotë:

Sa herë janë hapur gropa në qendër të Tiranës për të ndërtuar kulla 30-40 kate, opozita ka bërë rezistencë dhe ka denoncuar me emra. Dhe ka bërë mirë. Disa nga deputetët e PD janë bërë gardh bashkë me shoqërinë civile duke i bërë një shërbim jo të vogël interesit publik. Dita e sotme është fillimi i fundit për një nga lulishtet e vetme në Tiranë, atë mes 9-katësheve dhe TOB. Në këtë vend do të ndërtohet grataçela që do të quhet “Mali i Tiranës” me plot 58 kate, 185 metra mbi tokë. Nuk jam kundër zhvillimit, as kundër investitorëve, përkundrazi, ata janë në të drejtën e tyre për të bërë biznes. Por ajo që është shqetësuese ka të bëjë me mbajtjen “silent” të të gjithë procesit që ka shoqëruar rrugëtimin e kësaj kulle.

Padiskutim që pushtetit nuk i intereson zhurma. Por as opozitës nuk i paska interesuar bërja publike e lejes që kthen në beton lulishten e fundit në Tiranë. Deputetët e zëshëm të PD të rreshtuar në anën e Rithemelimit, kanë marrë urdhër të mos ndjehen. Në telefonat e tyre janë shpërndarë mesazhe të tipit: “Lere se është i joni”. Arsyeja është e thjeshtë për t’u kuptuar. Biznesmeni që po ndërton është financues i aktiviteteve të Rithemelimit dhe disa mediave përreth. Prandaj edhe në asnjë prej mediave që denoncon vendimmarrjen e Erion Veliajt dhe Edi Ramës kantieri te lulishtja pas Teatrit të Operas dhe Baletit nuk ekziston.

Prisni se do mësoni perla ditët në vijim. Këtu nuk ka opozitë që ndjek kauzat, kjo është opozitë që ndjek interesat e zengjinëve të saj! Keqardhja më e madhe është për këtë popull që çdo ditë e më shumë dëshmon naivitet ekstrem!