Vendosni fjalën kyçe....

Top Channel: Berisha me dy qëndrime të kundërta për Arben Ahmetajn


 

Sali Berisha duket se ka harruar fjalët e të shkuarës, ka shkelur mbi to e ka krijuar një teori të re.

Pa kaluar as një muaj, nga deklarata ku fajësonte Arben Ahmetajn si kryesorin e aferës së inceneratorëve, Berisha ka ndryshuar qëndrim duke i dalë atij në mbrojtje.  Kjo është deklarata e 13 korrikut.

“Arben Ahmetaj është truri, njeriu më kryesor  pas atyre të dyve në aferën e korrupsionit. Ai është hajduti më i specializuar për të vjedhur shtetin në historinë e shtetit shqiptar. Më i madhi është Edi Rama, por aftësitë e tij profesionale si hajdut janë të pakufishme”.

Më 4 gusht, e hedh poshtë atë që ka thënë më parë. Ja çfarë ka deklaruar sot:

“Përpjekja është kjo, Ahmetaj të paraqitet si truri dhe Mirel Mërtiri e Zoto si dy kryesorët dhe qarku të mbyllet me këta tre persona. Ky është mashtrimi i shekullit. Unë e them këtë me përgjegjësi absolute kushdo tjetër”.

Pavarësisht se ish kryeministri flet me bindje të plotë në të dyja daljet publike, shqiptarët përballen me dy Berisha kontradiktore. Kë të besojnë?

Paqëndrueshmëria e Berishës në mendimet që nuk i puthiten me njëra tjetrën, ka krijuar dyshime te opinioni publik për një afrim të tijin me Ahmetajn. Kreu i foltores hodhi pretendimin se i arratisuri nën akuzën për korrupsion është kërcënuar familjarisht, e sot zbuloi sipas tij burimin e informacionit me qëllimin për mbytur zërat që flasin për marrëdhënie Berisha-Ahmetaj.

“Nuk kam komunikuar kurrë drejtpërdrejt me Ahmetajn, por ai mund të më shkruajë çdo gjë në telefonin tim, nuk e ka të ndaluar. Të dhënat i kam marr nga qytetari digjital”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel