Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëshortja tregon se kush iu gjend afër nga politika gjatë operacionit Genci Fugës


Eni Jani bashkëshortja e Genci Fugës që iu nënshtrua një operacioni të vështirë në tru ka dalë më një falënderim të gjatë mirënjohje për të gjithë ata që ju gjendën pranë në momentin e vështirë.

Jani përmend me emra personat nga politika për ndihmën që i dhanë si Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Aktorja përmend edhe faktin e akordimin prej 2 milionë lekë të rinj për të mundësuar ndërhyrjen e Gencit shuma e kërkuar edhe prej saj publikisht gjatë kohës që ishte në operacion.

Ajo falënderon edhe kolegët dhe miqtë e saj si dhe emra nga arti, si Mevlan Shanaj e Kiço Londo.

Në fund ajo shpreh mirënjohje për të gjithë të panjohurit që ndihmuan në plotësimin e shumës së operacionit.

Postimi i plotë:

E vërteta dhe mirënjohja ime. Për punë sekondash unë do postoja një status mirënjohje dhe falënderimi për të gjithë ata që vepruan dhe më qëndruan pranë.

Më sjellin linkun që qeveria akordoi një fond prej 2 milionë leke të rinj për ndërhyrjen e Gencit. Pas kësaj ndjeva se ajo që kisha përgatitur për të postuar do keq interpretohej dhe nuk e postova duke mos dashur të cënoj kurrësesi dinjitetin e Gencit dhe respektin tim për të.

Por ne si çift përveç parimit të mirënjohjes kemi dhe atë të së vërtetës dhe vendosa që falenderimeve të mija t’i shtoja dhe të vërtetën e asaj nate dhe pse mbase ata që janë pjesë e së vërtetës e falenderimit nuk do e pëlqenin që t’i publikoja. (Ju kërkoj ndjesë për këtë )Por unë nuk mund të rri pa i thënë këto të vërteta e falenderime.

Dua ta nis nga momenti i vështirë ku gishti im i dha “send” postimit në instagram dhe fb. Sapo doli postimi, qe një reagim i menjëhershëm sensibilizimi që ma ngrohu zemrën dhe më mbushi me forcë, me atë forcë që është e domosdoshme në ato momente. Operacioni kish pak që kish nisur dhe në derë të spitalit u shfaq një person i cili për mua është Drejtor i Përgjithshem i institucionit ku unë punoj dhe kisha adresuar thirrjen time por tek unë erdhi si Alfred Peza, erdhi me të gjithë humanizmin dhe mbështetjen njerëzore e mbi të gjitha me optimizmin që çdo gjë do shkojë mbarë e mirë. Me të në krah me erdhi një telefonatë nga Klodi i Amerikanit (siç dëgjoj shpesh ta thërrasin) i cili më dha një siguri të cilën e kisha të nevojshme në momentet që po bëhej ndërhyrja, siguri të cilën e pata dhe në vazhdimësi.

Faleminderit Profesor Mevlan Shanaj dhe Regjisorit Kiço Londo për telefonatat e kryera. Faleminderit Znj. Manastirliu për mbështetjen e menjëhershme dhe interesimin e vazhdueshëm.

Faleminderit Z. Veliaj, edhe për mbështetjen tënde që e tregon sa herë është e nevojshme.

Faleminderit pafund mjekeve duarartë Dr.Eugenit, Dr.Arbenit, Dr.Gentit dhe Dr.Vojsaves të cilët bënë mrekulli në atë situatë të vështirë të Gencit.Faleminderit Profesor Petrelës që është i gatshëm të më presë në çdo moment.

Falenderim zemre për të gjithë të afërmit dashamirësit kolegët. Dhe në fund, por jo nga rëndësia falenderim shpirti të gjithë njerëzve të thjeshte që u bënë një me dhimbjen time.

Faleminderit për çdo lutje të ndjerë tuajën që ma beri zemrën dhe më të fortë. Faleminderit për çdo kontribut zemre që tek unë mori përmasa mrekullie duke parë që në një kohë rekord shumë zemra qe u bënë bashke më dhanë frymë, besim, siguri.

Kamber Mici faleminderit që më ndihmove në hapjen e llogarisë në GoFundMe. Faleminderit të gjithë miqve që natën e operimit ishin pranë meje për një përqafim.

Genci, me zotin para dhe me gjithë dashurinë e njerëzve ne të dy do kemi një rrugë të vështirë përpara… por ashtu siç duhet sepse shume njerëz me bujarinë e tyre e kanë bërë të mundur që këtë rrugë ta kemi të përballueshme.

Dhe në fund o Flor Mumajesi, e di që do më thuash pse, por nuk mundem të mos ia them të gjithëve se ke një zemër flori. Faleminderit për atë mbështetje zemre që nga momenti i parë.

Të dashur miq, të njohur dhe të panjohur, sidomos ju të panjohur që madhështinë e Gencit e sollët aq ngrohtë tek unë me respektin e simpatinë për të. Ju drejtohem duke ju thënë se nuk kam ditur asnjëherë të jem e mirë me fjalën por fjalët e zemrës nuk i kam kursyer asnjëherë sepse janë gjithmonë të vërteta e kur janë të vërteta janë të ndjera. E vërteta ime është dashuri dhe respekt për gjthësecilin nga ju që ishit pranë nesh. Përulem përpara dashurisë suaj ashtu siç përulem në skenë përpara duartrokitjeve tuaja.

Ju dua!