Vendosni fjalën kyçe....

Falimentimi i ujësjellësit të Durrësit, Meta: Dëshmi e gjallë e qeverisjes korrutive, Këshilli Bashkiak të kërkojë llogari dhe të bëjë transparencë


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pasi ujësjellësi i Durrësit shpalli falimentin.

Meta e quan dëshminë e gjallë të qeverisjes korruptive të “Rilindjes”.

Sipas Metës përveç bashkive të falimentuara tashmë kemi edhe ndërmarje publike të falimentuara.

Meta kërkon që Këshilli i ri Bashkiak të kërkojë me urgjencë llogari dhe të bëjë transparencë.

Falimentimi i Ujësjellësit të Durrësit, pas “fitores” së 14 Majit, është dëshmia më e gjallë e qeverisjes korruptive dhe ndërmarrjeve elektorale të “Rilindjes”, si në nivel qendror edhe në nivel lokal.

Tashmë nuk kemi vetëm bashki të falimentuara, por edhe ndërmarrje publike të falimentuara.
“Rilindja” si në çdo sektor tjetër po falimenton edhe këtë sektor jetik për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë.

Pra nuk kemi vetëm mega-skandalin e inceneratorëve, por edhe skandalet e ujësjellësave që kanë gllabëruar miliona Euro nga taksapaguesit shqiptarë dhe donatorët e huaj.

Rasti i UKD është flagrant duke pasur parasysh që është marrë kredi edhe nga Banka Botërore, në një kohë që ndërmarrja që ka qenë më e financuara deri tani është në falimentim. Në këtë gjendje janë edhe shumë ujësjellës të tjerë, që nëse nuk kanë falimentuar janë në prag falimenti.

Prandaj mega-skandali i falimentimit të UKD është fytyra e një qeverisjeje të kalbur dhe të korruptuar që po falimenton ekonominë dhe Shqipërinë.

Shqiptarët po grabiten për rrugë të “florinjta” që nuk po i shkelin, për mbeturinat dhe “inceneratorë” fantazëm që nuk ekzistojnë, për ujin e pijshëm që e paguajnë disa fish më shumë por që nuk pihet.
SPAK duhet urgjentisht të vendosë para ligjit të gjithë përgjegjësit e këtij skandali dhe dështimi spektakolar me pronën publike, ndërsa Këshilli i ri i Bashkisë Durrës duhet të bëjë transparencë dhe të kërkojë urgjentisht llogari
”-shkruan Meta.