Vendosni fjalën kyçe....

Dorëhiqet ‘në heshtje’ zv. kreu i DEA-s pas raportit se kishte punuar si konsulent për prodhuesit e mëdhenj të opioidëve


Zv.drejtori i i Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA) së SHBA-së ka dhënë dorëheqjen në heshtje mes raportimeve nga Associated Press se ai dikur kishte qenë këshilltar për një shpërndarës farmaceutik të sanksionuar për një sasi të madhe të dërgesave të dyshimta të ilaçeve kundër dhimbjeve dhe bëri punë të ngjashme për prodhuesin e ilaçeve, që u bë fytyra e epidemisë opioide: Purdue.

Konsulenca katërvjeçare e Louis Milione për Big Pharma i parapriu kthimit të tij në vitin 2021 në DEA për të shërbyer si zëvendësshef i kreut të agjencisë Anne Milgram, duke ripërtërirë shqetësimet në agjenci dhe më gjerë në lidhje me ndërfutjet e shpejta të punonjësve mes qeverisë dhe industrisë dhe ndikimin e saj të mundshëm në misionin e DEA-së për mbajtjen në rregull dhe zbatimin e ligjit të kompanive të barnave që fajësohen për dhjetëra mijëra vdekje amerikane nga mbidoza.

Viktor Bout

Milione përshkruhet nga Administratorja e DEA-s, si një ‘legjendë e DEA-s’, më i njohur për udhëheqjen e operacionit jashtë vendit që në vitin 2008 arrestoi trafikantin famëkeq rus të armëve Viktor Bout. Viktor Bout u rrëzua nga informatorët e fshehtë të DEA-s që paraqiteshin si anëtarë të FARC-ut në Kolumbi për të marrë armë.

Gjatë një shkëmbimi të të burgosurve në fillim të këtij viti me Rusinë, Viktor Bout u lirua përsëri në Rusi në këmbim të basketbollistit Brittney Griner, i cili ishte arrestuar në Rusi për posedimin e një stilolapsi THC dhe u dënua me 10 vjet burg.

Milione fillimisht u largua nga DEA në vitin 2017 pas një karriere 21-vjeçare që përfshinte një detyrë dyvjeçare në krye të divizionit që kontrollon shitjen e lëndëve narkotike që krijojnë shumë varësi. Ashtu si dhjetëra kolegë në Zyrën e Kontrollit të Diversionit të DEA-s, ai shkoi të punonte si konsulent për disa nga të njëjtat kompani që ishte ngarkuar të kontrollonte e rregullonte.

Puna si këshilltar te Gjigantët Farmaceutikë

AP raportoi në maj se konsultimi i Milione përfshinte dhënien e dëshmisë në emër të shpërndarësit të katërt më të madh të barnave me shumicë në vend, Morris & Dickson, teksa kompania luftoi për të shpëtuar licencën e saj për furnizimin me qetësues të spitaleve dhe farmacive. Një gjykatës administrativ federal përcaktoi katër vjet më parë se kompania me bazë në Luiziana nuk arriti të lajmëronte mijëra porosi të dyshimta në kulmin e krizës së opioideve.

Në tetor 2017, DEA u bë e vetëdijshme për shitjet me sasi të mëdha të Oxycodone dhe Hydrocodone nga kompania ‘Morris & Dickson’ në pesë nga dhjetë farmacitë më të mëdha brenda shtetit të Luizianës. Të dhënat e DEA-s treguan se ‘Morris & Dickson’ nuk kishin paraqitur asnjë raport të dyshimtë për porositë në asnjë nga farmacitë në fjalë në Luiziana.

Nga një rishikim i blerjeve të bëra nga këto farmaci të pavarura me volum të lartë, doli se këto farmaci blinin sasi që nuk ishin tregues të tregut farmaceutik. Jo vetëm që farmacitë e shumta ‘të pavarura’ të shitjes me pakicë blinin më shumë Oxycodone dhe Hydrocodone sesa farmacitë më të mëdha të zinxhirit që operonin brenda shtetit, por ato po blinin më shumë narkotikë se disa nga farmacitë më të mëdha të zinxhirit të kombinuara brenda të njëjtit kod postar.

Në disa raste, DEA vuri në dukje se këto barnatore ‘të pavarura’ po blinin mbi dhjetë herë më shumë sasi narkotikësh sesa farmacitë mesatare e Luizianës blinin në muaj.

Por DEA nuk lëvizi për të hequr licencën, derisa AP-ja u interesua për rastin  pak ditë më pas.

Pjesa më e madhe e punës konsulente të Milione ishte si drejtor i lartë menaxhues i Guidepost Solutions, një firmë private investigative me bazë në Nju Jork. Nën mbikëqyrjen e tij, Guidepost zgjeroi praktikën e saj të pajtueshmërisë me DEA-n, e cila tani përfshin nëntë ish-punonjës të DEA-s.

Guidepost nuk pranoi të komentonte.

Gjatë kohës së tij në sektorin privat, Milione shërbeu gjithashtu si ekspert duke u paguar me 600 dollarë në orë për Purdue Pharma, teksa ajo përballej me sfidat ligjore nga Ohio në Oklahoma mbi marketingun e tij agresiv të OxyContin dhe qetësuesve të tjerë të dhimbjeveqë krijojnë shumë varësi.

Milione u largua përsëri nga DEA në fund të qershorit vetëm katër ditë pasi AP kërkoi koment nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me punën e tij të mëparshme për Purdue.

“Puna për Purdue Pharma nuk duhet t’ju ndihmojë të merrni një pozicion më të lartë në qeveri,” tha Jeff Hauser, drejtori ekzekutiv i ‘Projektit Revolving Door’, një organizatë mbikëqyrës për ndikimin e korporatave në qeverinë federale.

“Kolegjialiteti i tepërt është problem. Është e vështirë t’i shikosh kolegët e tu të dikurshëm dhe potencialisht të ardhshëm si persona që përpiqen t’i shpëtojnë ligjit. Çdo person i pavarur do ta konsideronte këtë të neveritshme.”

‘Purdue’ tha në një deklaratë se mbajtja e Milione si ekspert për çështjet e pajtueshmërisë me DEA-n përfundoi kur kompania me bazë në Konektikat paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi në shtator 2019.

“Për aq sa dimë, askush në ‘Purdue’ nuk ka pasur ndonjë komunikim biznesi me z. Milione pasi ai u kthye në qeveri,” tha kompania.

‘Purdue’ është gjetur dy herë fajtore për akuzat penale federale për rolin e saj në nxitjen e krizës së opioideve dhe vitin e kaluar arriti një marrëveshje mbarëkombëtare prej 6 miliardë dollarësh që synonte të ndalonte një vërshim padish nga shtetet. Milione prodhoi një raport eksperti prej 16 faqesh në vitin 2019 që nuk u prezantua kurrë në provat e  paraqitura.

Ky raport, i marrë nga AP, vlerëson përpjekjet e ‘Purdue’ që nga viti 2000 për të gjurmuar shitjen e paligjshme të opioideve nga farmacitë mashtruese dhe mjekët e që jepnin sasi të mëdha qetësuesish për personat pavarësisht se nuk kishin nevojë.

“Këto janë llojet e programeve që DEA nxit dhe mbështet prodhuesit,” tha Milione në një deklaratë këtë javë kur dha dorëheqjen për arsye personale që nuk kishin lidhje me raportimin e AP. Si ai ashtu edhe Departamenti i Drejtësisë thanë se ai u tërhoq në DEA nga të gjitha çështjet që përfshinin punën e tij në sektorin privat ku kishte edhe shfaqjen e konfliktit të interesit.

Milione shtoi se qëndrimi i tij si këshilltar ndihmoi kompanitë e barnave të respektonin rregullat e DEA-s, ashtu si kthimi i tij në qeveri i dha DEA-së njohuri se si merren vendimet e biznesit në botën reale.

“Më intereson thellësisht DEA, misioni i saj dhe burrat dhe gratë e guximshme që sakrifikojnë kaq shumë për të mbrojtur publikun amerikan,” tha ai.

Shmangia e konfirmimit nga Senati

Milione nuk u përball kurrë me shqyrtimin e ligjvënësve për konsultimin e tij përpara se të merrte pozicionin Nr. 2 të DEA-s, pasi Agjencia nuk e ka plotësuar për më shumë se një dekadë detyrën e zëvendësdrejtorit, gjë që kërkon një emërim presidencial dhe konfirmim nga Senati.

Në vend të kësaj, DEA punësoi drejtpërdrejt Milione për të plotësuar një pozicion karriere me të njëjtat detyra, por një titull paksa të ndryshëm – ‘Zëvendës Administratori Kryesor’ – që nuk kërkon një mbikëqyrje të tillë, duke anashkaluar nevojën për konfirmim.

“DEA ka treguar gatishmëri për të marrë masa të mundimshme për të shmangur syrin vigjilent të Senatit – duke përfshirë përdorimin potencialisht të një teknike për të shmangur konfirmimin e Senatit të një vendimmarrësi kryesor të agjencisë,” tha senatori amerikan Chuck Grassley, një republikan i Ioëa-s dhe anëtar i Komitetit Gjyqësor të Senatit.

“Shmangia e mbikëqyrjes së Kongresit është një masëe lodhur që DEA nuk mund të ndalojë së luajturi. Ajo shtron pyetjen: Çfarë tjetër po përpiqet të fshehë DEA?

John Coleman, i cili ishte kreu i operacioneve për DEA-n në vitet 1990, tha se administrata Biden ka të ngjarë të mos e emërojë kurrë Milione për të shërbyer si Zëvendës Administrator, pavarësisht kualifikimeve të tij të shumta, sepse konfliktet e tij të interesit me siguri do kishin ngritur shumë pikëpyetje.

“Dikush në agjenci duhej të ishte i vetëdijshëm për implikimet e kthimit të dikujt që ishte i punësuar në industrinë farmaceutike të rregulluar nga agjencia,” tha Coleman.

“Ishte një konflikt i qartë dhe klasik.”

Anne Milgram, shefja e DEA-s

Asnjë njoftim nga DEA

DEA nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Departamenti i Drejtësisë i tha AP se Milione zbuloi konfliktet e tij të mundshme të interesit kur u kthye në DEA dhe se pozicioni i Zëvendës Administratorit kryesor u krijua përpara mandatit të Milgram.

Ai tha se procesi për plotësimin e pozicionit të konfirmuar të Zëvendës Administratorit është në vazhdim dhe i referoi pyetje të mëtejshme Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

DEA nuk bëri asnjë njoftim për daljen në pension së fundmi të Milione, por hoqi biografinë e tij nga faqja e internetit e agjencisë gjatë festës së 4 korrikut dhe e zëvendësoi atë me atë të pasardhësit të tij, zyrtarit të karrierës në DEA, George Papadopoulos.

Në një email të brendshëm drejtuar stafit, Milgram e përshëndeti 60-vjeçarin Milione si një ‘legjendë e DEA-s’ më së shumti e njohur për udhëheqjen e operacionit jashtë vendit që në vitin 2008 arrestoi trafikantin famëkeq të armëve të Rusisë Viktor Bout.

“Isha e emocionuar që ai pranoi të kthehej në shtëpi, në DEA,” shkroi ajo në një email të 26 qershorit të marrë nga AP.

“Lou ka përdorur aftësitë e tij si profesionale për të na ndihmuar të ngremë çështje kundër rrjeteve të tëra kriminale dhe për të hetuar të gjithë zinxhirin global të furnizimit me fentanil.”

Ish-zyrtari i DEA-s, Coleman pyeti pse Milgram zgjodhi Milionen si numrin 2 të saj, pavarësisht nga ndërlikimet e tij korporative dhe nëse ishte ndonjëherë e vërtetë se ai mund të shkëputej nga shumë prej funksioneve drejtuese të postit që mbante.

“Nuk ka asnjë mënyrë për ta izoluar atë person nga biznesi i përditshëm i agjencisë, që përfshin kompanitë e rregulluara që prodhojnë dhe shpërndajnë lëndë të kontrolluara”, tha Coleman, i cili tani është president i Drug Ëatch International, një organizatë jofitimprurëse që synon të pakësojë abuzimin me drogën.

“Unë nuk e shoh se si është e mundur.”

Trazirat e fundit brenda DEA-s

Dalja e Milione shton trazirat në krye të DEA-s pas një sërë largimesh të tjera të nivelit të lartë, skandaleve të sjelljes së keqe dhe nisjes së një hetimi të mbikëqyrësit federal për miliona kontrata pa ofertë të dhëna bashkëpunëtorëve të kaluar të Milgram.

Kryesisht anëtarë republikanë të Kongresit e ‘kryqëzuan’ Milgram gjatë një kërkese rutinë buxhetore në prill dhe ajo gjithashtu pritet të dëshmojë më vonë këtë muaj në një seancë dëgjimore mbikqyrëse të Kongresit që shqyrton operacionet dhe efektivitetin e DEA-së në luftimin e vërshimit të fentanilit në SHBA nga Meksika.

Që kur Milgram mori frenat e DEA-s dy vjet më parë, ajo ka kaluar nëpër gati tre duzina ndihmës të lartë, shumë prej tyre agjentë veteranë të cilët u dëbuan ose u larguan për shkak të mosmarrëveshjeve me të. Kjo përfshin krerët e të gjitha divizioneve kryesore të DEA-s, si dhe këshilltarin kryesor të DEA-s, ndërlidhësin e saj për çështjet e kongresit dhe agjentin kryesor në Meksikë.

Mbrojtësit e Milgramit thonë se ‘spastrimi i shtëpisë’ është pjesë e një rivendosjeje në të gjithë agjencinë për të luftuar krizën e fentanilit. Ajo gjithashtu ka shfaqur një tolerancë zero për racizmin dhe seksizmin që ka qenë i pranishëm brenda rrjetit të punonnjësve të vjetër që kanë formësuar prej kohësh vendimet e personelit brenda DEA-s.

“Ndryshimi është i vështirë dhe disa njerëz nuk e pëlqejnë atë,” tha Chuck Rosenberg, një ish-administrator i DEA, për AP këtë pranverë.

“Koha do tregojë nëse ajo kishte të drejtë apo gabim, por basti im është për Anne.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderlandbeat

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani