Vendosni fjalën kyçe....

Falsifikonin dokumente për në SHBA, Kanada, Angli e BE, pranga 3 personave në Korçë


Tre anëtarë të një grupi kriminal që falsifikonte dokumente shqiptare e të huaja kundrejt pagesës janë arrestuar në Korçë gjatë një operacioni të nisur 5 muaj më parë.

Në pranga kanë rënë Thanas Sholla 60-vjeç, Besnik Dine 52 vjeç e Artur Rakip 57 vjeç.

Tre personat në fjalë ishin nën vëzhgim prej më shumë se 5 muajsh dhe akuzohen se prodhonin e shisnin dokumente shqiptare e të huaja të falsifikuara, për të udhëtuar në zonën SCHENGEN, SHBA, Kanada e Angli.

Për punën e  tyre të kundërligjshme ata merrnin pagesa të konsiderueshme, që vijojnë nga 300 euro deri në 10000 euro.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e Thanas  Shollës e Besnik Dines dhe në automjetin e këtij të fundit, janë gjetur pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.

Ndërsa, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Artur Rakipit, u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për prodhimin e dokumenteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja të falsifikuara.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara, karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qëndrimi, leje drejtimi, diploma shkolle, fotokopje dokumentesh të huaja, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe plastifikimi, vula, simbole, emblema të shteteve të huaja, automjete, shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.