Vendosni fjalën kyçe....

Hoti para nisjes në SHBA: Njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi, tema e vetme e diskutimit


Kryeministri i Kosovës, Hoti, ka thënë para nisjes në SHBA se vetëm njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë do i normalizonte marrëdhënies mes dy vendeve dhe do qetësonte rajonin.

Ai theksoi se njohja e ndërsjellë është tema e vetme në bisedimet me zyrtarët e Serbisë.

“Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës. Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cënuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik.” – ka thënë shefi i qeverisë.

Hoti, i shoqëruar nga shtatë zyrtarë të tjerë do niset drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në dialogun me përfaqësuesit e Serbisë që do mbahet në Shtëpinë e Bardhë nga data 4 shtator.