Vendosni fjalën kyçe....

Tjetër aplikim për park fotovoltaik 10 MW pranë MIE, këtë herë në Bulqizë


Aplikimet për ndërtimin e impianteve fotovoltaikë që nuk janë pjesë e skemës mbështetëse të qeverisë kanë vijuar të jenë të larta pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Së fundmi një tjetër projekt ka mbërritur pranë saj duke kërkuar miratimin paraprak për projektet që nuk janë objekt koncesioni. Bëhet fjalë për një impiant me kapacitet të instaluar 10 MË dhe zona ku do të zbatohet është pjesë e bashkisë Bulqizë.

“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë: Shoqëria “GERTI” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 10 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Vlashaj, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë” thuhet në aplikimin e bërë publik nga MIE.

Pak ditë më parë ishin dy projekte të tjera që kërkuan të nijetin miratim dhe që kaluan në fazën e parë të komenteve nga palët e interesuara. Bëhej fjalë për dy projekte ku i pari me një kapacitet të instaluar 10 MW dhe i dyti 2 MW respektivisht në Elbasan dhe Dibër.

Interesi për impiantet fotovoltaike vijon të mbetet i lartë edhe pse kulmin kërkesa sipas instilatorëve të tregut e arriti gjatë 2022 ndërsa tani mbetet e qëndrueshme. Kjo lidhet me krizën e energjisë ku çmimet pësuan një rritje të shpejtë dhe të paprecedentë teksa qeveria u detyrua të shpejtonte planet e diversifikimit.

Pak kohë më parë gjatë vizitës në një impiant fotovoltaik në zbatim ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi nga viti 2021 deri sot ka pasur aplikime mbi 1.7 gigavat dhe se deri tani janë aprovuar mbi 270 megavat, ndërsa po vijon shqyrtim i dokumentacionit për aplikimet e tjera.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor