Vendosni fjalën kyçe....

“Yje mbi Butrint” dhe fati i “Njerëzve me Dele”


Nga Auron Tare

Të shtunën e kaluar, në të njejtin moment që artisti Timo Flloko recitonte poezitë e tija të dashurisë në skenën e Teatrit Antik të Butrintit, gazetari Marin Mema transmetonte një intervistë me arkeologun kubano-amerikan, Dr. David Hernandez i Universitetit të Cincinatit.

Në emisionin e tij neë Top Channel, Mema kishte arritur të merrte një intervistë mbresëlënëse, për të gjithë ata që kishin kohën dhe ngenë për ta dëgjuar.

Me rëndësinë e titullit që mban, Dr. Hernandez, shpaloste një teori sa interesante aq edhe të përfolur kohët e fundit mbi fatin historik të Butrintit. Sipas Hernandez, që punon në Butrint prej kohësh nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës së Republikës, në këtë Qendër Antike nuk ka asnjë gjurmë të popullatave lokale të njohura me emrin e kaonëve apo të prasaibëve.

Hernandez me një siguri të plote që ia jep përvoja e gërmimeve, thoshte se ky qytet nuk ishte asgjë mëe shumë se një koloni greke ku çdo gjurmë ishte ardhur nga përtej deti. I pyetur mbi fatin e vendasve, Hernandes kishte një teori shumë mbresëlënëse. Vendasit thjesht vinin dhe iknin me dele në një Qytet tërësisht grek.

Unë e njoh Hernandezin prej vitesh. Një emigrant kuban i cili (tashmë me pashaportë amerikane) përfaqëson dy kultura tejet periferike në historinë e Mesdheut për të kuptuar dhe ndjerë thirjen shekullore të popullsive të lashta të Epirit.

Nuk më çuditën aspak teoritë e tij tashmë të artikuluara edhe në shqip, të ngjashme me Gjeorgjeviçin e dikurshëm. Dikur këto teori të Richard Hodges i pëshpëriste nëpër tavolina dhe ruhej që të mos i thoshte me zë të lartë.

Mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar. Nën bekimin e autoriteteve shqiptare bashkë me Drejtor me Institutin e Arkeologjise dhe me mësuesin e tij shpirtëror Richard Hodges, të votuar nga Parlamenti Shqiptar si administrator i Butrintit për 10 vjet, Dr. David Hernandez nuk ka më ndroje për të folur mbi Njerëzit me Dele, të cilët  sipas tij nuk kishin asnjë lidhje me Qytetin Antik të Butrintit.

Fundi i fundit pasardhësit e këtyre barinjve jane sot në Parlamentin që votoi për Hodges, i cili do të drejtojë dhe do të shkruajë mbi historinë e antikitetit të trojeve ku barinjtë piqnin ndonjë dele dhe e shkëmbenin me vazo plot piktura të prodhuara nga një kulturë superiore Helene që kishte themeluar qytetin.

Në një moment reflektimi ndoshta Dr. Hernandez mund të ketë të drejtë, ndoshta etërit e arkeologjisë shqiptare që pasuan Dr. Ugolinin  i cili kërkonte Trojën e Re të Virgjilit ne Butrint mund të na kenë gënjyer. Duke dashur të ndjekin linjën nacionaliste kanë kërkuar një ngulim imagjinar për barinjtë e dikurshëm dhe i kanë vendosur ata në truallin e helenëve të ardhur nga deti.

Të frymëzuar nga burimet antike që flisnin për Kaonë, Prasaibë, Molosë, Thesprotë etj,  Shkolla Arkeologjike Shqiptare ndoshta ka gënjyer duke krijuar një lidhje imagjinare me ta, duke dashur që njerëzit me dele t’i bënin me të patjeter të civilizuar duke trazuar keshtu ujrat e nacionalizmës shqiptare.

Sot shkollë e vjetër nacionaliste nuk është më, nxënësit shqiptare të Hodges, internacionalistë të thekur miratojnë në heshtje këto teori mjafton që ngjyejnë gishtin në mjaltin e projekteve. Tek-tuk ndonjë zë i mekur flet për një publik tërësisht indiferent i shqetësuar vetëm për personazhet e telenovelave.

Dheja me një argument të mbrojtur fort nga një arkeolog kuban si Dr, Hernadez apo si ai britanik Hodges na zgjojnë nga trallisja e gjumit nacionalist duke na treguar një të vertetë të thjeshtë. Ne ende vazhdojmë të jemi Njerëz me Dele.

Ashtu si barinjtë e dikurshëm teë botës antike që kishin frikeë nga kultura brenda mureve të këtij qyteti, që nuk laheshin në banjat publike me dysheme  mozaikësh, që nuk hynin dot në tempujt plot statuja, edhe sot e kemi frikë këtë qytet që na ra në pjese papritur.

I rrimë larg, nuk e duam, i trembemi kulturës së tij, e shikojmë me përbuzje dhe për këtë arsye ia kemi dhënë njerëzve teë ardhur nga Deti. Prandaj Hernandez dhe të tjerët pas tij kanë të drejtë, ne jemi pasardhes të Njerëzve me Dele.

P.S. Për të mësuar më shumë për paraardhesit tuaj dëgjoni intervistën e Dr. Hernandez i Universitetit të Cincinatit, SHBA