Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu


Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për çështjen “Gërdeci” ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu.

Shkak për shtyrje janë bërë prokurat për përfaqësinë e familjarëve në Gjykatë nëpërmjet avokatit Dorjan Matlija.

Avokati sqaroi për mediat se prokurat e kërkuara do bëhen gati në mënyrë që të vijojë seanca.

Seanca e radhës është shtyrë për në datën 18 korrik.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.