Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Fierit, SPAK kërkon 10 vite burg për Lefter Kokën, avokati: Proces politik, u kërkua mendimi i 4 ministrive


SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish-ministrin e Mjedist Lefter Koka lidhur me inceneratorin e Fierit. Seanca ka nisur mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit.

Koka përfiton nga gjykimi i shkurtuar e nëse shpallet fajtor do përfitojë uljen e 1/3-ës së dënimit.

Koka ka qenë i pranishëm në seancë e pritet të dëshmojë. Avokati i ish-ministrit ka thënë se përgjegjësia për vendimet e marra për inceneratorin ka qenë e Këshillit të Ministrave duke qenë se për të është kërkura mendimi i katër ministrive, të Financave, Ekonomisë, Mjedisit e Drejtësisë.

“Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat.” – tha avokati.

Më herët SPAK ka kërkuar nga 10 vite burg edhe për Mirel Mërtirin e Klodian Zoton si dhe 4 vjet burg për ish-deputetin e PS-së Alqi Bllako.

Të gjithë të pandehurit në çështjen për inceneratorin e Fierit përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit.

“Provat në 120.000 faqe dosje hetimore faktojnë pafajësinë absolute të Lefter Kokës për 3 akuzat. Procesi është i stisur politikisht, ka porositës dhe ekzekutor. Dy takimet që pretendohet se Lefter Koka ka marre pjesë në diskutime me Albtek faktohet nga TIMS se ka qenë jashtë Shqipërisë. Kosto e impiantit të Elbasanit është më ekonomikja e mundshme. Landfilli kushton 3 fish më pak nga ai i Vlorës, 2 fish më pak nga Saranda. Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit? Shoqëritë kanë kryer evazion fiskal me njëra tjetrën pa lidhje me Lefter Kokën dhe janë dënuar nga gjykatat e rretheve për këtë vepër. Hetimi u devijua. Kjo çështje është e hetuar dhe gjykuar në gjykatën e Elbasanit. Është anti kushtetuese të rigjykohet. Do t’i drejtohemi Strasburgut. Prona që kërkoni të sekuestroni është themeluar në vitin 1927 dhe është privatizuar në 2000. Kjo është dhunë në emër të ligjit. Kemi dorëzuar 3966 faqe me materiale provuese dhe ekspertuese që çmontojnë akuzën. Ato as nuk u lexuan nga prokuroria. Çfarë drejtësie është kjo? Asnjë nga shoqëritë nuk zotërohet dhe nuk ka lidhje me Lefter Kokën. Kjo është një anomali juridike. Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit. Prokuroria flet për dyshime, por dyshimet janë në favor të Lefter Kokës. Asnjë ligj i shkelur nuk citohet nga Prokuroria. Asnjë lek dëm nuk është shkaktuar nga veprimtaria ekzekutive e Ministrit të mjedisit. Akuzat pa prova forcojnë bindjen se Lefter Koka sulmohet politikisht.” – shtoi avokati.

Pretenca e SPAK për të pandehurit

Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)