Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për ligjin e Mjekësisë: Qeveria po i tregon kamxhikun studentëve, në mënyrë absurde iu kërkon të firmosin për të shërbyer 5 vite në periferi


Që nga foltorja e Kuvendit, Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot qeverinë se pas shëndetësisë po shkatërron Fakultetin e Mjekësisë, përsa i përket ligjit për këtë të fundit që i detyron studentët e Mjekësisë të punojnë për 5 vite në vend.

Berisha vijoi se qeveria po i tregon kamxhikun studentëve, ku i kërkon në mënyrën më absurde që të firmosin për të shërbyer 5 vite në periferi.

Berisha vijoi më tej me akuza ndaj qeverisë ku tha se KLSH faktoi se vetëm është vjedhur dhe shpërdoruar 138 mld lekë, me të cilat mund të rriteshin rrogat së paku me 170% të të gjithë shqiptarëve.

 “Sot ndërkohë që po flas para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme kundrejt një akti absurd që revokon kohëra të shkuara më të zeza të këtij vendi studentët e fakultetit të Mjekësisë. Ju me procedurë të shpejtuar pa asnjë konsultim, jashtë çdo standardi të ligjbërjes keni sjellë këtu për të kaluar gjysmë fshehtas një ligj i cili ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë. Shkatërroni fakultetin e Mjekësisë. Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Në fakt ai ka në themel vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale që ju bëni.

KLSH faktoi se vetëm në një vit keni vjedhur dhe shpërdoruar 138 mld lekë. Vetëm në një vit keni vjedhur dhe shpërdoruar një shumë të atillë me të cilën mund të rriteshin rrogat së paku me 170% të të gjithë shqiptarëve dhe ju në vend se të përdorni stimulin, interesin e mjekut të ri për të shërbyer në zona në të cilat ai ka mundësi të marrë një rrogë më të madhe, ka mundësi të shpërblehet për një start më të mirë ekonomik në jetën e tij, ju i tregoni kamxhikun sot dhe i kërkoni në mënyrën më absurde që ai të firmosë se do shërbejë 5 vite në periferi, apo në Shqipëri dhe pastaj mund të largohet nga Shqipëria.

Akti i tillë është i pashembullt. Ju u tallët me këtë sistem në kulmin e COVID-it një vend i zhvilluar më shumë se sa ne, anëtar i BE-së, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria vendosi rrogat të njëjtat me Republikën Federale Gjermane. Sigurisht që është e kushtueshme, sigurisht që është jo e lehtë, por është detyrueshme në qoftë se do të mbash një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve”, tha Berisha.