Vendosni fjalën kyçe....

Hapet në Hagë qendra për të hetuar luftën e Rusisë në Ukrainë


Një qendër ndërkombëtare për të hetuar pushtimin rus të Ukrainës u hap në Hagë të hënën.

Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit (ICPA) përfshin prokurorë nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).

Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk janë anëtare të ICC, do të marrin pjesë gjithashtu në qendrën e sapohapur, sipas DW.

Midis zyrtarëve janë prokurori i përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin, prokurori i ICC-së Karim Khan, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Kenneth Polite dhe komisioneri i drejtësisë i BE-së Didier Reynders, tha Eurojust.

BE tha se qendra kishte “qëllimin përfundimtar për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për pushtimin” e Ukrainës.

“Ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur për t’i kërkuar llogari Putinit dhe pasardhësve të tij,” u zotua të hënën presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Në një deklaratë që shënon hapjen e një qendre për ndjekjen penale të pushtimit rus në Ukrainë, ajo tha se agresioni vazhdon të sjellë tmerre të papërshkrueshme, çdo ditë.

Qendra pritet të mbledhë prova dhe të përgatisë akuza kundër zyrtarëve të Kremlinit. Eurojust ka hapur tashmë një bazë të dhënash qendrore për provat mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës tha se hapja e qendrës ishte një “sinjal i qartë se bota është e bashkuar dhe e palëkundur në rrugën për ta mbajtur regjimin rus përgjegjës për të gjitha krimet e tij”.

Kostin tha se zyra do të ndihmonte në mbushjen e një “grope të hapur në përgjegjësinë për krimin e agresionit”.

Komisioneri i Drejtësisë i BE-së Didier Reynders tha se nisma tregon se aleatët e Kievit do të “qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”.