Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit sulmojnë shtëpinë e kryebashkiakut në periferi të Parisit, plagoset bashkëshortja


Protestuesit në Francë u përpoqën t’i vënë zjarrin shtëpisë së një kryetari bashkie në periferi të Parisit gjatë natës dhe qëlluan gruan dhe fëmijët e zyrtarit që po iknin.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të gjerë dhe po trajtohet si tentativë për vrasje. Kryeministrja Elisabeth Borne e përshkroi atë si të patolerueshme.

Kryebashkiaku Vincent Jeanbrun nuk ishte në shtëpi, por gruaja e tij pësoi një thyerje të këmbës dhe një fëmijë u lëndua gjithashtu.

Franca ka parë protesta të dhunshme pasi policia vrau një adoleshent të martën.

Të dyshuarit në incidentin në L’Haÿ-les-Roses, në jug të Parisit, nuk janë identifikuar.

Jeanbrun tha se kishte qenë në zyrën e tij duke mbikëqyrur situatën kur sulmi në shtëpinë e tij ndodhi në orën 01:30 (23:30 GMT të shtunën).

Sulmuesit përdorën një makinë për të përplasur portat e shtëpisë së tyre përpara se t’i vinin flakën automjetit në mënyrë që zjarri të përhapej në shtëpi, tha kryetari i bashkisë në një deklaratë.

Më pas, kur gruaja e tij, Melanie Nowak, u përpoq të ikte me fëmijët, pesë dhe shtatë vjeç, ata u sulmuan me fishekzjarre. Zonja Nowak pësoi një thyerje të këmbës. Një nga fëmijët ka mbetur i plagosur gjithashtu.

Kryebashkiaku Jeanbrun e quajti atë “një tentativë vrasjeje e një frikë të papërshkrueshme”.

“Është kaluar një vijë,” tha ai.

“Nëse prioriteti im sot është të kujdesem për familjen time, vendosmëria ime për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer Republikës është më e madhe se më parë”, shtoi ai.

Kryebashkiaku, nga qendra e djathtë Les Republicains, ka marrë mbështetje të gjerë nga i gjithë spektri politik francez.

Prokuroria publike ka nisur hetimet për vrasje të mbetur në tentativë.