Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Sali Berisha duhet të kishte ikur me kohë, prioritet i PD-së marrëdhënia me SHBA-në


Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha sot se nuk ka folur për ish-kreun Lulzim Basha pasi nuk merret me individë po me partinë dhe me atë që demokratët presin prej saj.

Ai ishte ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 ku theksoi se mes tij e grupit të Berishës nuk ka asnjë afrim dhe se ai nuk ka ndryshuar qëndrim për kreun e Rithemelimit.

Sipas Bardhit, nuk ka asnjë tentativë bisedimesh mes grupeve në PD.

“Nuk kam folur për zotin Basha jam pyetur nga gazetarët. Nuk preferoj të flas për individë sepse këtë proces nuk e shoh të lidhur me individët por me PD dhe atë që demokratet presin nga kjo parti. Nëse do e shihja të lidhur me individët do e shihja të lidhur me interesin tim personal, por për mua prevalon interesi i demokratëve. Nuk ka asnjë afrim me grupin e Berishws. Gjatë këtyre ditëve kanë nisur të kërkojnë llogari tek mua për qëndrimet që mban Berisha, psh pse thotë fjalë të mira për ua, a thua se kisha fuqi ta ndaloja kur fliste keq për mua. Unë nuk kam ndryshuar qëndrim ndaj zotit Berisha në asnjë çështje për të cilën kemi pasur diskutime. Vlerësoj marrëdhënien me SHBA si prioritet të PD. Ne kemi humbur 1 vit e gjysmë duke u marrë me njëri tjetrin, unë që të bind Berishën se është gabim dhe ai të më bindë mua për të kundërtën. Unë mendoj se nuk e bëjmë dot.

Unë kam objektiv të mund Ramën, jo të përplasem në zgjedhje me Berishën që nga përplasja jonë të fitojë Rama. Duhet vendosur objektivi i çdo opozitari që të ndërtojmë një strategji. Nëse mbajmë ndezur konfliktin brenda PD i vetmi që fiton është Rama. Unë këtë nuk e pranoj dot. Bisedimet e mia me Palokën janë transparente. Propozimi im ishte publik dhe nuk u pranua nga grupimi i Berishës. Sot nuk ka asnjë tentativë bisedimesh, ndryshe do ishin publike. Nëse beteja deri në 2025 do jetë kacafytja brenda demokratëve, nga kjo ngrihet vetëm PS dhe Rama. Pjesë e kësaj strategjie dhe këtij projekti nuk bëhem.

PD ka nevojë për tre gjëra: të prodhojë ide, të dalë jashtë konfliktit dhe të ringrihet duke i zgjatur dorën çdo demokrati. Berisha duhej të ishte tërhequr për të mos futur në këtë rrëmujë PD shumë kohë më parë. Në konflikt me partnerët tanë strategjik PD vetëm dobësohet, por shoh që Berisha nuk ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë. Ajo që kam unë në dorë si demokrat dhe drejtues i PD është çdo bëjmë ne të tjerët për partinë.” – tha Bardhi.