Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Jemi të hapur për dialog me Ukrainën


Një delegacion i udhëheqësve afrikanë po takohet në Shën Petersburg me presidentin rus Vladimir Putin për të ndërmjetësuar një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund konfliktit Ukrainë-Rusi.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters zoti Putin iu tha udhëheqësve afrikan se ai ishte i hapur për dialog me Ukrainën.

Grupi u takua të premten me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Anëtarët e delegacionit përfshijnë presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, presidentin senegalez Macky Sall, presidentin e Zambias Hakainde Hichilema dhe presidentin e Komoreve Azali Assoumani, i cili aktualisht drejton Bashkimin Afrikan.

Tre presidentë të tjerë afrikanë ishin caktuar të merrnin pjesë në misionin e paqes, por në vend të kësaj ata dërguan përfaqësuesit e tyre nga Kongo, Egjipti dhe Uganda.

Të premten, ndërsa një delegacion udhëheqësish nga shtete afrikane po takoheshin me presidentin Zelenskyy, u dëgjuan sirenat që paralajmëronin për sulme të mundshme ajrore.

Një ditë më parë Presidenti Putin konfirmoi se Rusia tashmë ka vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi, duke i rikujtuar Perëndimit se ai nuk mund t’i shkaktojë disfatë strategjike Rusisë.

Ai tha se teorikisht Rusia mund t’i përdorte armët bërthamore nëse do të ekzistonte një kërcënim ndaj integritetit territorial të saj, por shtoi se vendi i tij nuk ndodhej përballë një nevoje të tillë.

Shtëpia e Bardhë i denoncoi komentet e zotit Vladimir Putin mbi përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por tha se Shtetet e Bashkuara nuk ka bërë asnjë ndryshim që lidhet me kapacitetet bërthamore të vendit, si përgjigje ndaj kësaj retorike./VOA.