Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Hyrja e forcave serbe në Kosovë, agresion dhe synim për destabilizim


 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim, marrjen peng të tre policëve të Kosovës brenda territorit nga forcat serbe.

Në një reagim në Facebook, Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve. Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët të dënojnë aktin e Serbisë.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më herët gjatë ditës, Policia njoftoi se tre policë janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.