Vendosni fjalën kyçe....

SHBA shton presionin ndaj Kurtit: Asociacioni i komunave serbe do bëhet, qeveria të lëvizë menjëherë


Gabriel Escobar, nënsekretar për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit, po kërkon që Prishtina të dalë shpejt me një propozim për të formuar një asociacion serb të komunave. Beogradi, nga ana tjetër, duhet të sinjalizojë se dhuna nuk do pranohet.

Në një intervistë për median austriake ‘Die Presse’ ai theksoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të lëvizë shpejt dhe se asocacioni do bëhet edhe nëse Prishtina zyrtare nuk është dakord.

Më poshtë është intervista e Escobar për ‘Die Presse’

Die Presse: Mosmarrëveshja për emërimin e kryetarëve shqiptarë në veri të Kosovës ka çuar në trazira serioze me demonstruesit serbë dhe në tensione mes Serbisë dhe Kosovës. Çfarë duhet bërë për të ulur tensionet?

Escobar: Duhet të thyejmë ciklin e dhunës. Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i detyrojë kryetarët shqiptarë të komunave në veri të shkojnë në zyrat komunale, të cilat janë simbolike për serbët. Megjithatë, puna administrative duhet të vazhdojë. Drejtuesit e Serbisë nga ana tjetër, duhet të dërgojë mesazhin e qartë se dhuna kundër forcës paqeruajtëse të KFOR-it apo kundër policisë nuk do tolerohet. Pas kësaj duhet të kërkojmë një mënyrë për të krijuar besim më të madh edhe nëse kjo do të thotë zgjedhje të reja për kryetarë komuash.

Die Presse: Serbia kërkon themelimin e një asociacioni serb në Kosovë. Kosova e kundërshton këtë nga shqetësimi se mund të çojë në një republikë të re serbe, e cila më pas do bllokonte shtetin njësoj si në Bosnje Hercegovinë.

Escobar: Kjo nuk do jetë një republikë e re serbe si Bosnje Hercegovina. Themelimi i Asociacionit Serb të Komunave në Kosovë është një angazhim ndërkombëtar, ligjërisht i detyrueshëm. Ato përmenden në Marrëveshjen e Brukselit, Konkluzionet e Këshillit Evropian dhe Marrëveshjen e Ohrit. Dhe ka gjithashtu një angazhim të SHBA për këtë. Asociacioni Serb i Komunave duhet të ndodhë. Pyetja është: Si do duket? Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. Ne jemi duke pritur për këtë. Kosova duhet të lëvizë menjëherë në këtë drejtim dhe të na japë një projektmarrëveshje. Sepse Marrëveshja e Ohrit (shënim: për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës) varet shumë nga krijimi i asociacionit të komunave.

Die Presse: Megjithatë duket se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e do parimisht këtë asociacion?

Escobar: Nuk varet nga ai. Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky Asociacion do bëhet. Pyetja është: A dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?

Die Presse: SHBA ka vendosur sanksione ndaj Kosovës: nuk lejohet të marrë pjesë në manovrën e NATO-s, Defender Europe 2023. Dhe SHBA-ja nuk dëshiron më ta mbështesë vendin diplomatikisht për momentin. A janë planifikuar masa edhe ndaj Serbisë?

Escobar: Ka një ndryshim të madh në marrëdhëniet tona me Serbinë dhe Kosovën. Tradicionalisht, Kosova ka lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe ne i dëshirojmë ato gjithashtu. I themi Kosovës: Asociacioni i komunave nuk është koncesion ndaj Serbisë. Bëhet fjalë për mënyrën se si Kosova e trajton grupin e saj etnik serb. Nga këndvështrimi ynë, mosgatishmëria e Prishtinës për të lëvizur në këtë drejtim tregon mungesën e vullnetit për t’u përpjekur për pajtim brenda vendit. Mesazhi ynë për Kosovën dhe Serbinë është se përderisa të dyja palët po dështojnë të zbatojnë angazhimet e rëndësishme nga marrëveshja e normalizimit, nuk është koha për biznes si zakonisht.

Die Presse: Ju thatë se bëhet fjalë për mënyrën se si Kosova i trajton pakicat e saj. Por nëse shikoni fotografitë e sulmeve të serbëve ndaj forcës mbrojtëse të KFOR-it në veri të Kosovës, është e qartë se personat që sulmuan këtu nuk ishin thjesht qytetarë të zemëruar. E gjithë kjo mund të ishte planifikuar nga Beogradi.

Escobar: Kjo qëndron, mund të jetë kështu. Dhe nëse kjo vërtetohet, do kishim një diskutim shumë të vështirë me Serbinë. Nëse jo, na duhen ende sinjale nga Serbia se dhuna është e papranueshme. Në veri të Kosovës ka pasur dhunë të ashpër ndaj ushtarëve të forcës paqeruajtëse të KFOR-it. Kjo duhet të ketë pasoja për njerëzit që janë përgjegjës për të.

Die Presse: Në Kosovë dhe në mesin e protestuesve antiqeveritarë në Serbi, ekziston shqetësimi se SHBA-të po tregohen shumë të buta ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sepse SHBA-të donin ta pengonin Vuçiçin të lëvizte më tej drejt Moskës.

Escobar: Shumë shqetësohen për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë. Por unë mendoj se Serbia e kupton atë që po ndodh në Ukrainë dhe reagon ndaj saj. Është e vërtetë që Rusia po përfiton nga kaosi në Ballkan. Por edhe nëse nuk do kishim probleme me Moskën, Serbia do dëshironte të ushtronte ndikim mbi fqinjët si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova dhe ne duhet të sigurohemi që këto marrëdhënie të jenë korrekte. Protestat në Serbi janë një dinamikë e brendshme.

Die Presse: Por a është SHBA-ja tani e butë ndaj presidentit Vuçiç?

Escobar: Jo, qëndrimi ynë është shumë i qartë se çfarë duhet të bëjë Vuçiç në lidhje me Kosovën. Nëse shikoni marrëveshjen e normalizimit me Prishtinën, pothuajse gjithçka qëndron mbi supet e Serbisë: ajo duhet të njohë integritetin territorial të Kosovës, flamurin, simbolet kombëtare, pasaportat dhe dokumentet qeveritare. Dhe nuk do e bllokojë më integrimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare. Gjithçka që duhet të bëjë Kosova për këtë është të zbatojë një marrëveshje tashmë ekzistuese: formimin e asociacionit të komunave.

Die Presse: Çfarë do të thotë për SHBA-në ndikimi i Rusisë në Ballkan?

Escobar: Pyetja është se çfarë do të thotë për komunitetin transatlantik. Rusia po shfrytëzon problemet ekzistuese në Ballkan. Por në të njëjtën kohë Moska ofron shumë pak. Tregtia e Rusisë me rajonin është shumë e vogël. Dhe veçanërisht tani që presidenti rus Putin është i pafavorshëm ndërkombëtarisht, mbështetja që ai mund të ofrojë është zero. Pra Rusia mund të përdorë kaosin në rajon. Por Evropa dhe SHBA-të kanë levën më të fortë.

Die Presse: Rusia gjithashtu ka një ndikim në zhvillimet në Bosnje dhe po përpiqet të krijojë pengesa.

Escobar: Unë shoh të kundërtën. residenti i Republikës Serbe në Bosnje, Milorad Dodik, po përdor Rusinë për të krijuar pengesa, për axhendën e tij.

Die Presse: Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtare në Bosnje ka humbur gjithnjë e më shumë ndikim vitet e fundit. A është vjetëruar funksioni i tij?

Escobar: Absolutisht jo. Ai është arbitër për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Ne e mbështesim atë dhe mandatin e tij. Nuk mendoj se ndikimi i tij është zvogëluar. Por ne u përpoqëm të gjenim një lëvizje kalimtare për ta bërë Bosnjë dhe Hercegovinën të mbështetet më shumë në institucionet e veta. Është një akt ekuilibrues.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Die Presse

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani