Vendosni fjalën kyçe....

Roli inekzistent i zyrave të këshillimit të karrierës në gjimnaze


Nga Gilda Hoxha

Përgjatë dekadave të fundit shoqëria shqiptare ka kaluar në procese transformuese si në kontekstin socio-ekonomik, politik dhe kulturor. Reformat në edukim, qoftë në sistemin para universitar dhe në atë pasuniversitar, duket të jetë një nga sfidat më të rëndësishme dhe më të vështira të shoqërisë sonë.

Shumë diskutohet për të ardhmen e brezave të rinj, duke iu referuar studimeve dhe profesioneve të kohës dhe më pak analizohen, studiohet gjetja e mundësive dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për të përshtatur preferencat dhe talentit të nxënësve në përputhje me mundësitë e punësimit.

Edhe pse politika të ndryshme, raporte janë hartuar për ngritjen e strukturave përgjegjëse, që të ndihmojnë proceset e këshillimit të karrierës të nxënësve duket se akoma strukturat në sistemin arsimor sot nuk kanë arritur të ndihmojnë në këshillimin e karrierës tek nxënësit.

Referuar studimit ‘Përzgjedhja e studimeve universitare dhe implikimet prej saj në performancën akademike dhe në tregun e punës’ realizuar nga stafi akdemik i UMSH-së me mbështëtjen e AKKISH si dhe të dhënave nga INSTAT rezulton se përgjatë periudhës 2018-2022 preferencat e maturantëve për fushat e sudimit janë të përqendruara më së shumti në disiplinat e inxhinierisë, informatikës, biznesit dhe ligjit dhe më pak maturantë janë të përqendruar në fushat e studimit si shkenca humane apo dhe shërbimet. Në një lexim sipërfaqësor mund të kuptohet se të dhëna të tilla refletojnë mundësitë që ofron tregu për një punësim të sigurt pas studimeve.

Ekpsertet theksojnë se ‘ndjekja’ e nevojave të tregut prej institucioneve të arsimit të lartë nëpërmjet përshtatjes se programeve të studimit dhe profileve të tyre, ende është e vështirë, jo vetëm për shkak të dinamikës të paparashikuar që ka tregu i punës, por edhe për shkak të burokracisë së MAS në shqyrtimin dhe licensimin e programeve të caktuara të studimit.

Mund të shtohet se ka pak ose aspak bashkëveprim mes zyrave të këshillimit të shkollave të mesme dhe zyrave të këshillimit në universitete, konstatim ky që reflektohet dhe në draft dokumente të publikuara nga MAS apo dhe vetë pohimet e studentëve të rinj (referuar fokus grupeve të realizuar në studim).

Bashkëveprimi i faktorëve për zgjedhjen e programeve të studimit duket se është i vështirë, që të mund reflektohet vetëm në disa pika, pasi që për studentët e rinj të rëndësishme janë si preferencat e tyre ashtu si dhe ndikimi që ka familja, apo dhe faktorë të tjere si punësimi, shoqëria, media etj.

Megjithatë zyrat e këshillimit të karrierës në shkollat e mesme e kanë të vështirë të luajnë një rol të rëndësishëm tek nxënësit për përzgjedhjen e studimeve. Kjo pasi mungon një strategji e mirë menduar, e ndjekjes së studimeve që herët në fillimet e shkollës së mesme;

 -duket se ka një mungesë në burimet njerëzore dhe ekspertëve në këtë fushë, sidomos për sistemin arsimor në rrethe;

– rezulton të ketë pak ose aspak bashkëveprim mes strategjive të zhvillimit rajonal dhe këshillimit të karrierës në gjimnaze për të orientuar nxënësit në programe studimi specifike, të cilat mund të jenë në ndihmë të zhvillimit socio-ekonomik të qyteteve;

-si dhe programe ose orientime drejt studimeve muktidisiplinare pothuajse nuk janë në fokus të zyrave të zhvillimit të karrierës në shkollat e mesme;

– mungon një bashkëpunim i vazhdueshëm mes shkollave të mesme dhe universiteteve në vend, që do të ndihmonin në përzgjedhjen e programeve të studimit nga nxënësit, duke tentuar gjithëpërfshirjen e preferencave të tyre.