Vendosni fjalën kyçe....

Pemët diellore së shpejti mund të karikojnë makinat në Britani e Evropë


Pemët metalike me një tendë prej shtatë metrash panelesh diellore që prodhojnë energji elektrike mund të vijnë së shpejti në parkingjet e makinave dhe qendrat tregtare në Britani.

Strukturat, të cilat do kapin energjinë e diellit përmes ‘gjetheve’ nano fotovoltaike dhe mund ta ruajnë atë në një bateri të vendosur brenda trungut të pemës, u projektuan nga startupi britanik SolarBotanic Trees si një burim energjie për karikimin e automjeteve elektrike (EV).

Kompania kohët e fundit përfundoi një prototip të pajisjes dhe tani po kërkon të ndërtojë dhe testojë një version me madhësi të plotë, përpara se të fillojë prodhimin komercial në fund të vitit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, infrastruktura e karikimit të automjeteve elektrike po rritet me shpejtësi, me më shumë se 40,000 pika publike karikimi të instaluara deri në fund të prillit 2023, 37% më shumë se një vit më parë, sipas ZapMap.

Por kjo ende nuk përputhet me kërkesën, me Komitetin e Ndryshimeve Klimatike të Mbretërisë së Bashkuar që vlerëson se 325,000 pika karikimi do nevojiten deri në vitin 2032 për të mbështetur flotën elektrike në rritje.

“Ka një mungesë masive të infrastrukturës karikuese në këtë vend, kështu që ne po kërkojmë të punojmë krah për krah me ofruesit e infrastrukturës,” thotë Chris Shelley, CEO i SolarBotanic Trees.

Ai shton se kompania ka marrë tashmë porosinë e saj të parë prej 200 pemësh nga Raë Charging Group, një furnizues i infrastrukturës së karikimit të makinave elektrike, që planifikon t’i inkorporojë pemët si pjesë e rrjetit të saj të pikave të karikimit të përhapura në Britani dhe Evropë.