Vendosni fjalën kyçe....

Projekti 110 milionë euro për transportin në Tiranë, MIE në kërkim të konsulentit


Projekti i transportit të gjelbër në kryeqytet ka kaluar në një tjetër etapë dhe tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) po kërkon konsulentin që do të mbikëqyrë zbatimin.

Bëhet fjalë për projektin për të cilin është siguruar një financim 110.3 milionë euro, kredi e butë dhe grant që vijnë nga Bashkimi Europian dhe Koperacioni Financiar Gjerman përmes bankës gjermane KFW.

Ministria njoftoi se aktualisht ka hapur procedurën për shprehjen e interesit në mënyrë që kompanitë e interesuara për të qenë konsulentë gjatë zbatimit të dërgojnë kërkesën brenda 4 korrikut të këtij viti.

Në dokumentin e publikuar nga MIE bëhet me dije se pavarësisht se është siguruar në parim kredia ende nuk ka një marrëveshje të nënshkruar që do të thotë se çdo dakorësim paraprak për konsulentin dhe shërbimin që kërkohet varet nga ecuria e marrëveshjes për financimin.

Sipas ministrisë projekti synon të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të kërkesës në rritje të qytetit për lëvizshmëri përmes transportit publik me autobus të qëndrueshëm, të gjelbër, tërheqës, të sigurt, të rehatshëm dhe të aksesueshëm.

Më konkretisht, Projekti synon (i) përmirësimin e cilësisë së shërbimit të transportit publik në tre korridoret e autobusëve dhe (ii) reduktimin e emetimeve të CO2 dhe ndotësve të ajrit në Tiranë.

Projekti “Green Transport Tirana”(Transport i Gjelbër në Tiranë) synon zhvillimin, projektimin, zbatimin dhe funksionimin/mirëmbajtjen e sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobus elektrik (“e-BRT”) në Tiranë, i cili do të plotësohet nga rrjeti ekzistues i shërbimeve të autobusëve të ridizajnuar për të qenë në harmoni me sistemin e ri.

“Sistemi e-BRT është planifikuar të operohet nën një “Objektiv të Emisioneve Zero” dhe e zhvendos transportin publik drejt lëvizshmërisë elektrike. Rrjedhimisht, operacionet janë krijuar për t’u mbështetur në autobusët elektrikë me bateri me një strategji të zgjuar karikimi.

Dekarbonizimi i sektorit të transportit ndihmon Shqipërinë të përmbushë angazhimet e saj në lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së (55% reduktim i emetimeve të CO2 deri në vitin 2030, neutraliteti ndaj klimës deri në 2050) të bëra në lidhje me Deklaratën e Sofjes. Kalimi drejt lëvizjes elektrike në transportin publik në Tiranë do të kontribuojë për këtë.

Projekti përbëhet nga komponentët e mëposhtëm:

Komponenti 1: autobusët elektronikë dhe infrastruktura me karikim të shpejtë në rrugë, p.sh. karikues mundësish (“OÇ”)

Komponenti 2: Punimet civile përgjatë 3 korridoreve të BRT (përfshirë ndalesat e BRT)

Komponenti 3: Terminal autobusi me infrastrukturë smart karikimi (“e-depo”)

Komponenti 4: Qendra e Menaxhimit të BRT dhe sistemet e informacionit dhe komunikimit (“TIK”)

Komponenti 5: Impiant opsional fotovoltaik (“PVPP”).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor