Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Nuk do ta pranojmë masakrën elektorale në Kuçovë, do ta kontestojmë deri në fund


 

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për rezultatin zgjedhor të Kuçovës ku koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ përfaqësohej nga kandidati Lefter Maliqi.

Gjatë një takimi me kryetaren e PL-së në Kuçovë, Erisilda Hoxhën, Meta tha se rezultati i zgjedhjeve për bashkinë e Kuçovës do të kontestohet deri në fund dhe nuk do të pranohet kurrsesi, duke shtuar se qytetarët kanë zgjedhur Maliqin si kryebashkiak dhe jo Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste.

Mirënjohje pakufi për Erisilda Hoxhën, Kryetaren e Partisë së Lirisë në Kuçovë dhe gjithë ekipin e mrekullueshëm mbarëopozitar, që fituan zemrat e shumicës të qytetarëve të Kuçovës, të cilët zgjodhën Lefter Maliqin Kryebashkiak. As dhuna policore, as krimet zgjedhore gjatë fushatës dhe ditën e votimeve nuk i zmbrapsën në betejën për Ndryshim. Masakrën elektorale në Kuçovë do ta kontestojmë deri në fund dhe kurrë nuk do ta pranojmë. Gjurmët e krimeve zgjedhore janë të mirëdokumentuara dhe nuk do të anashkalohen kurrë”- shkruan Meta në një reagim të bërë.

Ditën e djeshme, Lefter Maliqi, dorëzoi në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve një kërkesë ankimore ku kërkohej rinumërimi i votave për kryebashkiak në bashkinë ku kandidonte ku një prej pretendimeve të tij ishte se në kutitë e fundit kishte patur mijëra vota të pavlefshme të cilat ishin numëruar si të vlefshme për rivalin e tij.