Vendosni fjalën kyçe....

Surpriza e Arlind Qorit, i rrëmben mazhorancës e opozitës rreth 14 mijë vota, renditet i treti në Tiranë


Pas përfundimit të numërimit në mbarë vendin të votave për zgjedhjet vendore të 14 majit, PS-ja ka triumfuar në 53 bashki, ndërsa koalicionit Bashkë Fitojmë ka marrë 7 bashki, ndërsa bashkia e Finiqit i ka shkuar partisë MEGA.

Edhe pse jashtë prozhektorëve, në Tiranë një parti e re dhe një kandidat i paprovuar më parë, ka arritur të bëjë surprizën. Bëhet fjalë për Lëvizjen Bashkë e kandidatin e saj, Arlind Qori.

Ky i fundit ka arritur të marrë rreth 14 mijë vota ose 4.8% të tyre në Tiranë duke lënë pas kandidatin e PD-së Roland Bejko, i cili mori rreth 12 mijë e 300 të votave ose 4.3% të tyre.

Edhe për Këshillat Bashkiakë Lëvizja Bashkë ka një ecuri të mirë në Tiranë ku deri tani janë numëruar 395 qendra votimi nga 941 në total.

Lëvizja Bashkë ka tani për tani 3256 vota ose 2.73% të tyre duke u renditur forca e gjashtë. E përballur me shumë vështirësi në ditët para regjistrimit, Lëvizja Bashkë ia doli më në fund të fitojë betejën ligjore duke fituar të drejtën e kandidimit në KQZ për zgjedhet vendore.

Fushata u pasua me takime të shumta të Qorit e aktivistëve të forcë në mbarë Tiranën, një fushatë e karakterizuar kryesisht nga risitë në komunikim duke qenë se zyrtarisht Lëvizja Bashkë nuk përfiton fonde nga shteti.

Ndërkohë që nuk janë numëruar ende mbi gjysma e qendrave të votimit, Lëvizja Bashkë, është në rrugë të mbarë për të qenë një nga forcat  politike me peshë në Këshillat Bashkiakë. /Hashtag.al