Vendosni fjalën kyçe....

Kadilli: Humbja e zgjedhjeve lokale ndëshkim për Berishën


Pas disfatës së rëndë të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, Fatbardh Kadilli ka drejtuar gishtin tek Sali Berisha.

Nuk jemi më në garë si opozitë, sepse kjo është katandisje në një grusht bashkish. Bastionet jo vetëm humbasin, por humbasin edhe thellë. Humbja e thellë e bastioneve si Shkodra dhe Kamza nuk është ndëshkim për kandidatët, pasi nuk besoj që zoti Spahia u konsumua për 1 vit dhe u mërzitën shkodranët me të. Është ndëshkim për projektin politik të Sali Berishës, që mendoi se i del zot Shqipërisë duke u bashkuar me Metën dhe duke u ndarë nga të vetët”- tha për emisionin “Pa Censurë në RTSH”, Fatbardh Kadilli.

Kadilli i cili humbi përballë Bashës në 2021 në garën brenda partisë, beson se kur një forcë politike humbet, ajo duhet të rindërtojë vetvetën mbi ndarjen me të shkuarën e saj.

Kur mban të keqen me vete, nuk ka asnjë shans për fitore. Nuk mundet e shkuara të shihet si e ardhme dhe dëshpërimi si shpresë. Nuk kemi më jetë që t’ia falim korrigjimit historik të Berishës. 3 herë e nisi me nder e mbylli me turp. Erdhi si liberator, u rrëzua si diktator në 1997-ën, erdhi si antikorrupsioni, iku si korrupsion në 2013, iu dhurua nga Rama paqe, që të mbahej mend për punët e mira dhe sot është non grata.”- shprehet pa e fshehur revoltën e tij

Fatbardh Kadilli, beson se ka ende konë për një projekt që e ringre opozitën.

Projekti i ri politik i opozitës duhet të jetë 100% ndryshe nga ai i Ramës. Nuk e rrëzon dot Ramën e korruptuar një tjetër i korruptuar apo është akuzuar, apo është rrëzuar nga pushteti si i korruptuar. Nuk e rrëzon dot një klient tjetër i oligarkëve. Njerëzit duan diçka të pastër, të ndryshme, moderne.” – tha Kadilli.

Kadilli mendon se të gjitha palët duhet të bëhen bashkë përtej atyre që i drejtojnë tani. Po aq kritik ai ishte dhe me drejtimin e PD zyrtare nga Enkelejd Alibeaj prej të cilit pret dorëheqjen.

Është fatalitet që për 1 vit zoti Alibeaj dhe kolegët e tij nuk prodhuan asnjë tezë politike, asnjë aksion politik, nuk bënë asnjë mbledhje. Ai më tha se “kush e ndien, vjen vetë”, por politika nuk zhvillohet kështu. Atij nuk ia fal, njësoj si Berishës. Ndërsa Basha ka treguar se bëri një xhest, bëri një hap mbrapa. Duhet një opozitë e re. S’mund të rrimë të presim që dikur të çmendet Rama, të vrasë veten dhe partinë e tij dhe ne nga gropa të dalim fitimtarë?!”- tha Kadilli për emisionin “Pa Censurë”.

Kadilli foli edhe për zgjedhjet e parakohshme të premtuara nga Berisha që sipas tij nuk kanë asnjë shans të ndodhin.

Vetëm nëse i kërkon Rama. Me këtë gjendje që jemi ne? I këput një palë zgjedhje, merr 90 mandate, ndryshon dhe kushtetutën dhe bën ç’t’i dojë qejfi. Ishalla s’i shkon më mendje kjo gjë”- tha Fatbardh Kadilli.