Vendosni fjalën kyçe....

Prej 4 muajsh apel për gjak, Meta i vjen në ndihmë gruas nga Lushnja: Raste si ky të mos përsëriten më


Prej katër muajsh, Lefteri Dedej e cila vuan nga talasemiua, nuk merrte dot gjak. Por pas publikimit të rastit të saj në emisionin “Fiks Fare”, zonja Dedej nga Lushnja me ndërhyrjen e presidentit të Republikës, më në fund ka marrë sasinë e gjakut që i nevojitej.

Zonja Dedej nga fshati Konjati, prej muajsh kërkonte gjak në spitalin e Lushnjës “Ihsan Çabej” por mjekët pretendonin se nuk ka dhe se duhet të gjente vetë një dhurues për ta ndihmuar. Prej 4 muajsh ajo kishte marrë vetëm një qese gjak, ndërkohë që kishte nevojë për dy të tilla në muaj.

Me t’u njohur me rastin, presidenti i Republikës,  fillimisht nëpërmjet kabinetit të tij kontaktoi drejtuesit e emisionit “Fiks Fare” dhe premtoi se në kuadrin e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” shumë shpejt do të organizonte një seancë dhurimi gjaku për t’i shkuar në ndihmë jo vetëm Lefteri Dedej por edhe të gjithë atyre banorëve në këtë bashki të Lusnjes që kanë nevojë për gjak.

Këtë të martë, Meta e priti në zyrë zonjën Dedej e më pas së bashku udhëtuan drejt klinikës ku u organizua një seancë për dhurimin e gjakut nga studentë dhe të rinj për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Lushnjës që kanë nevojë.

“Është krijuar një shqetësim që unë mendoj që është e panevojshëm, por që për ju është jetik. Edhe unë jam njohur nga mediat për këtë shqetësim. Këto janë raste për të reflektuar dhe për të përmirësuar më mirë funksionimin e gjithë këtij mekanizmi pasi unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet që të mos kemi asnjëherë raste të tilla. Falënderoj edhe emisionin Fiks Fare për këtë raportim dhe shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më”, – tha Presidenti Meta.

“Fushata jonë është e vazhdueshme, është në varësi me kërkesat dhe me dinamikën e nevojës për gjak dhe të mundësisë së dhurimit. Pra ne duhet të paralajmërohemi në kohë nga spitali i Lushnjes, nga spitali i Fierit apo ndonjë qendër tjetër që ato nuk kanë mundësi për të dhuruar gjak dhe atëherë ne i paraprijmë me disa seanca të dhurimit të gjakut që ë mos ketë asnjëherë mungesë. I gjithë ky kontribut do të shkojë për të gjithë ata qytetarë dhe fëmijë nga Lushnja të cilët vuajnë nga ky problem dhe kanë nevojë për dhurimin e gjakut në mënyrë sistematike”-, deklaroi Presidenti i Republikës.

Ndërkohë ditën e sotme, presidenti ka publikuar edhe disa foto të takimit të tij me zonjën, ndërsa shpreson që raste të tilla të mos përsëriten sërish.

“Prita dje në një takim znj.Lefteri Dedej, e cila prej kohësh apelonte nevojën për gjak. I lumtur që “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” organizoi menjëherë një seancë për dhurimin e gjakut me studentë dhe të rinj, jo vetëm për t’i ardhur në ndihmë asaj, por të gjithë qytetarëve të Lushnjës që kanë nevojë. Falënderoj emisionin “Fiks Fare” për këtë raportim dhe shpresoj që raste të tilla të mos përsëriten më.”, shkruan presidenti krahas fotove të publikuara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *