Vendosni fjalën kyçe....

Madonna “e djeg” në Brazil, tërheq 1.6 milionë njerëz për koncertin e fundit të turit


Më shumë se një milion njerëz u mblodhën në plazhin Copacabana të Brazilit për një koncert falas të Madonna-s të shtunën, duke përballuar vapën për të parë fundin e turneut të saj botëror “Celebration”.

Bulevardi me rërë dhe buzë oqeanit rreth plazhit të famshëm të Rio de Zhaneiros u mbush nga një turmë rreth 1.6 milionë banorësh sipas autoriteteve.

Shumë prej tyre kishin qenë atje për orë të tëra apo edhe ditë për të zënë një vend të mirë, ndërkohë që fansat më të pasur kishin hipur në dhjetëra varka pranë plazhit.

Zjarrfikësit spërkatën ujë para koncertit, kur temperaturat i kalonin 30 gradë Celsius, për të freskuar fansat e mbledhur pranë skenës së mbretëreshës së popit dhe uji i pijshëm u shpërnda falas.

Madonna, 65 vjeç, këndoi këngë të tilla si “Like a Prayer”, “Vogue” dhe “Express Yourself” për më shumë se dy orë. Më shumë se 3,000 oficerë policie u vendosën rreth zonës së koncerteve, ku Rolling Stones dhe Rod Stewart kanë tërhequr gjithashtu turma milionash.