Vendosni fjalën kyçe....

Mediu mbyll fushatën, thirrje qytetarëve të votojnë masivisht: Qeveria socialiste problemi më i madh, vetëm ju mund ta ndryshoni vendin


Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu bëri përmbylljen e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit. Në një konferencës shtypi me mediat ai bëri thirrje qytetarëve të votojnë PR-në në fletët e votimit dhe të marrin në duar fatin e tyre.

Mediu tha se mbi 800 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi për shkak të keqqeverisjes, varfërisë, pasigurisë e mungesës së shpresës.

Ai theksoi se problemi që ka vendi sot është qeverisja e PS-së, përbuzja e saj ndaj qytetarëve, mungesa e respektit ndaj njerëzve të thjeshtë.

Në fund ai nënvizoi se vetëm qytetarët me votën e tyre mund ta ndryshojnë vendin me votën e tyre.

“Të dashur motra dhe vëllezër! 14 Maji është dita juaj, është dita e shqiptarëve. Votoni Partinë Republikane!: Votoni Nr. 4. Ne Republikanët kemi bindjen se Besimi në Zot, Liria dhe Familja, janë shtyllat e një shoqërie demokratike, të një shoqërie më të denjë, më të mirë dhe më të lumtur. Prandaj merre në dorë fatin tënd dhe lufto për to. Ju, të rinj dhe të reja, shihni thinjat e prindërve tuaj, ato tregojnë sakrificën dhe dashurinë për ju. Dëgjoni mbi të gjitha zemrën tuaj, sepse vetëm ajo nuk gabon. Mos dëgjoni zhurmën, talljen e këtij pushteti. Shikoni familjen tuaj, e cila për fatin e keq është shpërndarë në çdo cep të botës, ndonjëherë për të mos u rikthyer, duke na humbur atë që është më e shenjtë se cdo gjë tjetër, lumturinë për të qenë së bashku. Zoti na ka falur çdo gjë në këtë vend të mrekullueshëm, por për fatin e keq ai po braktiset. Mbi 800 mijë shqiptarë, janë larguar nga Shqipëria për shkak të kësaj qeverie, për shkak të varfërisë, për shkak të pasigurisë dhe mungesës së shpresës.

Askush tjetër, por vetëm ti mund të ndërtosh të ardhmen tënde, mund të lumturosh familjen tënde, mund të bësh Shqipërinë, ashtu siç e meriton. Ne sot kemi vetëm një problem të madh dhe kjo është qeveria socialiste, përbuzja që ajo ka për shqiptarët, mungesa e respektit dhe dashurisë për njerzit e thjeshtë, hallet dhe problemet e tyre, por mbi të gjitha mendimi se ata janë Zot të jetës sonë dhe duan gjithë kohës të jenë të tillë. Pushteti lokal, as më shumë e as më pak, janë zgjatim i interesave të këtij pushteti. Shumë kandidatë të opozitës, janë në një betejë bashkë me ju. Belindi Luciano, Igli e shumë të tjerë, janë si ju, janë njerëzit tuaj. Vetëm ju, vetëm ti, mund t’a ndryshosh këtë vend. Me forcën që buron nga liria dhe besimi, respekti për të mirën dhe dashuria për njëri-tjetrin. Nuk mund të pranosh që e keqja të largojë ty nga ky vend i mrekullueshëm, nga Shqipëria, nga familja jote. Vetëm ti mund t`a largosh të keqen duke u bashkuar më gjithë shqiptarët e mirë. Në 14 Maj, Voto Partinë Republikane: Voto nr. 4.” – tha Mediu.