Vendosni fjalën kyçe....

Aksidentohet makina e ambasadës në Tiranë, humb jetën shoqëruesi i ambasadorit rus


36-vjeçari Sergei Mironov, shoqërues i ambasadorit rus në Tiranë, ka humbur jetën pas një aksidenti në rrugën Tiranë-Elbasan.

Makina e aksidentuar ka qenë me targa diplomatike ndërsa në aksident është lënduar edhe një person tjetër, Andrei Kukuviç, i cili është dërguar në spital.

Mjeti i ambasadës ruse i përfshirë në aksident ka qenë i vendosur në alert nga Policia Rrugore e Tiranës pasi në dy raste të tjera është kapur nga radari inteligjent me shpejtësi tej normave të lejuara në periudhën 31 mars-5 prill, ndërsa në timon ka qenë i njëjti person.

Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka ndjekur procedurat lidhur me këtë automjet dhe drejtuesin e saj, ku me anë të Ministrisë së Jashtme më parë i është dërguar informacioni i shoqëruar edhe me dokumentacionin përkatës ambasadës ruse se mjeti ka kryer disa shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Dyshohet se drejtuesi i mjetit 36-vjeçari rus S.M. ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën, duke humbur jetën.

Njoftimi

“Më datë 11.05.2023, rreth orës 23:10, te mbikalimi në Mjull Bathore, automjeti i ambasadës ruse, me drejtues shtetasin A. K., dhe pasagjer shtetasin S. M., është përplasur me banderolën metalike të rrugës, ka dalë nga rruga dhe më pas është përplasur me bordurën. Si pasojë e plagëve të marra nga përplasja, ka ndërruar jetë në spital shtetasi rus S. M., 36 vjeç, ndërsa shtetasi A. K., 30 vjeç, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”