Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Fredi Belerit: Paratë ishin të një personi tjetër, s’ekzistojnë kushtet e arrestimit në flagrancë


Avokati i kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën, Fredi Beleri, deklaroi sot se klienti i tij nuk është kapur me lekë në kohën e arrestimit.

Ai tha se shuma prej 40 mijë lekësh që ka kapur policia i janë gjetur një personi tjetër që nuk ka lidhje me Belerin.

Avokati tha gjithashtu se nuk ekzistojnë kushtet e arrestimit në flagrancë pasi Beleri ka qenë duke darkuar me dy miq të tij në restorant dhe më pas kanë dalë jashtë për të biseduar kur është arrestuar nga policia.

“Sapo kam dalë nga dyert e Komisariatit të Vlorës. Kam takuar vetë z. Beleri. Akuza ndaj tij është për korrupsion aktiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim. Kushtet e flagrancës nuk ekzistojnë në këtë momente, se vetë Beleri ka qenë me dy miqtë e tij duke darkuar me një lokal dhe ka dalë jashtë duke biseduar sepse normale janë në fushatë elektorale bisedojnë gjatë fushatës. Në atë moment i ka vajtur policia dhe pretendon se është kapur në kushtet e flagrancës. Kushtet e flagrancës nuk ekzistojnë sepse neni 253 dhe 254 i Kodit të Procedurës Penale parashikon që kushtet e flagrancës duhet të kesh diçka që t’i japësh, ose lekë. Beleri në këtë moment nuk është kapur me para. Paratë e sekuestruara i janë gjetur një personi tjetër që s’ka lidhje me zotin Beleri. Ashtu siç shpjegoi dëshmitarja tjetër që ishte këtu dhe tha se me zotin Beleri s’kemi fare kontakte. Nuk ka qenë zoti Bleri që ia kemi marrë.” – tha avokati.