Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë akuza ndaj Bledi Çuçit: Së bashku me persona të panjohur po u bën presion qytetarëve në Skrapar


Partia e Lirisë ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi se së bashku me disa persona të panjohur në Skrapar të cilët janë prezantuar si punonjës të ministrisë, po përpiqen të ushtrojnë presion mbi banorët në mënyrë që këta të fundit të votojnë për Partinë Socialiste të dielën.

Nëpërmjet një deklarate, Silva Caka tha se punonjësit e policisë kanë marrë urdhër që mos të ndalojnë makinat me xhama të zi.

Caka shton më tej se Autoriteti i Kontrollit Ushqimor për 2 herë brenda 15 ditëve ka ushtruar kontroll në të njëjtat biznese që njihen si mbështetës të opozitës.

 

Deklarata e Plotë e Silva Cakës:

 

Tmerri i fitores së Euglen Mustafallarit në bashkinë e Skraparit ka mbërthyer edhe Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, i cili ka zbarkuar me një tufë njerëzish të panjohur në Skrapar, të cilët prezantohen si punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe përpiqen të ushtrojnë presion mbi banorët.

Kërcënimeve të kryetarit në ikje, i cili i vuri kyçin bashkisë që më 8 maj, i janë shtuar edhe kalecët e Bledit, të cilët kanë marrë urdhër për të shpërndarë panik tek qytetarët.

Madje, Ministri i Brendshëm i jep urdhër edhe punonjësve të policisë, që të mos ndalojnë asnjë nga makinat e veshura gjithandej me xhama të zinj edhe pse ky fakt ndalohet me ligj.

Autoriteti i Kontrollit Ushqimor, zbarkon 2 herë, brenda 15 ditëve, në të njëjtat biznese, që i përkasin mbështetësve të opozitës.

Por për çfarë shërbejnë të gjitha këto?

Vetëm për të krijuar frikë dhe panik tek qytetarët.

Tani një këshillë për Ministrin e Brendshëm, se ka vajtur rishtazi në atë qytet dhe ndoshta nuk i njeh mirë banorët: banorët e Skraparit nuk janë frikësuar nga pushtetarë që realisht kanë qenë burra, jo më të frikësohen nga burrat e grave të Edi Ramës, prandaj bën mirë të mbledhësh rreckat e të largohesh, bashkë me Kryetarucin që rrihet nëpër bare e lokale, në format më ordinere.

Një thirrje për banorët e Skraparit: më 14 Maj është mundësia juaj për të bërë diçka të mirë për qytetin dhe veten dhe kjo realizohet vetëm duke dalë në votime dhe duke votuar për atë që realisht ka një vizion për zhvillimin e qytetit.

Çdo alternativë tjetër u provua në 4 vitet e fundit dhe ajo për të cilën mbahet mend janë veset e tij të panumërta si arroganca, ndasia e banorëve në qytetarë dhe fshatarë, sherret rrugaçe e ordinere, pija e shumë të tjera të cilat banorët e Skraparit i dinë shumë mirë.

Më 14 Maj, të gjithë duhet t’i drejtohemi qendrave të votimit dhe të zgjedhim Euglen Mustafallarin, djalin e palodhur të qytetit, i cili do rikthejë në Skrapar kulturën e punës, shërbimeve dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve