Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Salianjit: Patronazhisti në Kavajë me vilë 4 katëshe merr dy apartamente nga rindërtimi


Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka denoncuar sot nga Kavaja sipas tij keqpërdorimin që bën bashkia e këtij qyteti me apartamentet e ndërtuara për të prekurit nga tërmeti.

Salianji tha se patronazhisti i bashkisë Rudi Dyrmishi ka përfituar dy apartamente, ndërkohë që ka një vilë 4-katëshe.

Ai iu bëri thirrje që të gjithë qytetarëve të cilët kërcënohen apo shantazhohen, apo iu thuhet që pas zgjedhjeve do të marrin apartamentet, do t’i marrin dhe me Fisnik Qosjen si kryetar bashkia do t’i ndajë sipas ligjit.

Duke falënderuar qytetarët e Kavajës për mbështetjen masive që na kanë dhënë në këtë fushatë elektorale, për mbështetjen masive që i japin koalicionit opozitar dhe kandidatit Fisnik Qosja, në një fushatë frymëzuese, në një fushatë të bukur, në një fushatë ku është ngritur në këmbë qyteti i Kavajës dhe të gjithë njësitë administrative të saj, pa diskutim që përveç programit dhe takimeve me qytetarët do të bëjmë denoncime me emra konkretë, me raste konkretë, me fenomene që duhen ndëshkuar, jo vetëm denoncuar në publik, siç është rasti që do të denoncoj sot.

Sot jemi te pallatet e bëra me fondet e dhuruara nga donatorë të huaj, te pallatet e të pastrehëve apo pallatet që janë bërë për t’u dhënë personave që janë dëmtuar nga tërmeti, ndërkohë që PS ka caktuar sekserin kryesor të bashkisë si patronazhist, një person me emrin Rudi Dyrmishi për të ndarë, për të kërcënuar apo për t’u thënë qytetarëve që janë në hall nga shkatërrimi i banesave prej tërmetit që do t’iu japë banesa më pas. Por ndërkohë çfarë ka ndodhur?! Këtu kam vendimin e Këshillit Bashkiak me listën e përfituesve për të cilët rishikohet masa e përfitimit.

Familja e zotërisë në fjalë Rudi Dyrmishit ka marrë dy apartamente, një apartament 2+1, një apartament 3+1. Ndërkohë për qytetarët e Kavajës, por edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë për të treguar se sa e pashpirt është kjo qeverisje dhe se si gjithçka e përdor për vete, kjo është banesa 4-katëshe e tij. Pra një person që nuk ka nevojë as për apartamente, as nuk është në hall, as nuk është i pastrehë, por është një patronazhist që mbështet PS-në.

Iu bëj thirrje që të gjithë qytetarëve të cilët kërcënohen apo shantazhohen, apo iu thuhet që pas zgjedhjeve do të marrin apartamentet, e vërtetë është që do t’i marrin dhe Fisnik Qosja si kryetar bashkie do t’i ndajë apartamentet sipas ligjit dhe tek qytetarët që u takon. Duhet ndëshkuar me votë PS-ja për të bërë të mundur që apartamentet të shkojnë te qytetarët që kanë nevojë dhe jo te patronazhistët.

Ky është vetëm një rast, por ka dhe raste të drejtuesve të lartë të bashkisë së Kavajës të cilët zhvatin apartamente pa të drejtë duke qenë drejtues kryesorë të bashkisë. Në ditët në vijim do kem denoncime të tjera me emra dhe mbiemra për të gjithë personat që përfshihen në shntazhim apo intimidim të votuesve. Askush nuk do i shpëtojë ndëshkimit popullor. Fitorja e kandidatit tonë do të jetë masive ashtu siç është dhe mbështetja e qytetarëve.”-deklaroi Salianji.