Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj prezanton projektin: Sarajet do kthehen në Muzeun Etnografik të Tiranës


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti prezantuan projektin e kthimit të Sarajeve në Muzeun Etnografik të Tiranës.

Veliaj tha se kjo ndërtesë do të transformohet për të përfaqësuar identitetin e Tiranës.

“Çfarë është identiteti? Se ka shumë njerëz që thonë duam identitetin e Tiranës. Përgjigja e saktë është: Varet kë pyet! Se për disa identiteti i Tiranës është shtëpia me puse e caracë dhe më vjen mirë që këtu do të riaktivizohet edhe pusi, edhe caraci. Por, prapë varet kë pyet, se disa të tjerë nuk e lidhin identitetin e Tiranës me pusin, caracin, por e lidhin si ‘Ali Demsa’, ‘Xhamlliksa’, ‘Lapraksa’. Për disa gjëra ne kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Kur vjen puna për faktet janë të gjitha kokëfortë: Një ndërtesë e tillë përfaqëson identitetin e Tiranës, meritonte të shpronësohej dhe të kalonte në pronësi të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Ai zbuloi se projekti MET (Muzeu Etnografik i Tiranës) do të zhvillohet nga e njëjta studio që realizoi Muzeun Marubi dhe Muzeun e Gjirokastrës. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se pas Pazarit të Ri, Muzeu Etnografik i Tiranës është jetë një tjetër projekt i rëndësishëm kulturor që zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

“Pazari i Tiranës është një nga projektet më të suksesshme të rikualifikimit të gërmadhave, të vendeve të cilat kishin një histori, një potencial, por që komuniteti nuk ishte lidhur me to, duke i shfrytëzuar vërtet për zhvillimin ekonomik të përditshëm të familjeve të tyre. Kjo është edhe ajo që duam të bëjmë edhe këtu, në Muzeun Etnografik. Kjo nuk është thjesht një glorifikim i veprave të bukura që bën Ministria e Kulturës, bashkë me Bashkinë e Tiranës, por është glorifikimi i të gjitha vlerave të identitetit tonë kombëtar,” u shpreh ajo.