Vendosni fjalën kyçe....

Boçi mesazh të rinjve: Janë të parët që duhet të përfshihen në idenë time për Technopolis-in në Elbasan


Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar të Bashkisë së Elbasanit Luçiano Boçi iu është drejtuar me një mesazh të rinjve, duke iu prezantuar dhe disa nga pikat e programit të tij.

Boçi shkruan se të rinjtë janë lodhur me dështimet e politikës, prandaj kanë nevojë të besojnë tek njerzit.

Boçi mandej shprehet se “ne jua kemi zaptuar sheshin, rrugën, hapësirën e imagjinatës reale që ata kanë, iu kemi vrarë guximin për të besuar në një ekuacion jete të ndershme”

Ai thekson se të rinjtë janë të parët që duhet të përfshihen në idenë e tij për Technopolis-in në Elbasan: duke mësuar si të programojnë, si të kodojnë, si të lexojnë zhvillimet më të reja të teknologjisë dhe si të përgatiten për një shkollë gjithnjë e më sfiduese.

 

NË EMËR TË RINISË…

Sa herë i rikthehem programit zgjedhor në diskutime me qytetarët, ideve të mia iu shtohet gjithmonë një rresht i ri. Përvoja e njerëzve të mi është vërtetë e paanë dhe aftësitë reflektive të tyre, të pamata. Por ka një përmasë tjetër që programi im fiton kur unë ndërveproj me të rinjtë.

Ata i japin një kuptim tjetër çdo projekti, synimi, çdo plani timit që rreh të gjejë të ardhmen nëpër trupin e rrudhur të fuqisë së këtij qyteti. Të rinjtë janë gjithnjë një hap para, gjithnjë të vëmendshëm për shenjzat premtuese të ideve që ndajmë dhe mbesin tejet kureshtarë.

Nuk e di si t’jua them se çdo gjë që kemi shkruar ka lidhje me ta. Nuk di si t’jua shpreh mirënjohjen që kanë frymëzuar një tërësi projektesh dhe ndërhyrjesh, të cilat do t’i sjellim në jetë medoemos.

Rinia jeton sot më larg nesh sesa mund të imagjinohet.

E para, sepse ata janë lodhur me dështimet tona. Për ta – nuk ka fitimtarë, aty ku dikush dështon. Nuk ka pasunarë aty ku një njeri vuan për bukë. Nuk ka drejtësi aty ku qoftë dhe vetëm një çështje provon sundimin e padrejtësisë. Ata janë lodhur me politikën dhe me dështimet etike të saj. Ata kanë nevojë për një politikë me tipare njerëzore, që nuk fyen dhe nuk ndot…

E dyta, sepse të rinjtë kanë nevojë të besojnë tek njerëzit. Të pastër prej natyre, ata nervozohen kur përballen me padrejtësinë. Për më tepër ata kanë shumë vite që gjejnë përballë vetëm njerëz që i gënjejnë. Ata kanë nevojë të besojnë me zemër te dikush. Ata jetojnë moshën e dashurisë. Si mund të pranojnë ata të ecin nëpër baltën e rrugëve të urrejtjes?

E treta, në dallim prej moshës së mesme – të rinjtë e sotëm dinë ta ndërtojnë bashkëpunimin edhe kur mes tyre lexojnë ndasi. Ata përqafohen edhe kur mendojnë ndryshe.

Për fat të keq, ne jua kemi zaptuar sheshin, rrugën, hapësirën e imagjinatës reale që ata kanë, iu kemi vrarë guximin për të besuar në një ekuacion jete të ndershme: nëse mësoj mirë, kam shanse të bëhem x,y,z, të paguhem mirë, të realizoj ëndrrën; nëse e zhvilloj këtë talent që kam, ia dal që të jem më i miri/e mira…

Ata nuk kanë dot më asnjë model të besueshëm përpara syve, hiq shëmtinë e një kulture rruge, që dikush herë pas here e pasuron me sjellje që nuk mund as të kategorizohen si normale.

Të rinjtë janë dritarja prej ku ne të gjithë mund dhe duhet ta shohim të ardhmen tonë si qytetërim. Ata përmes nesh, do të shohin të shkuarën. Është koha të mendojmë seriozisht çfarë do të shohin ata përmes nesh, në kohë, dhe sa e dhimbshme rrezikon të jetë kjo si për ta, ashtu edhe për ne…

Dua t’ju them të rinjve të Elbasanit se ka vetëm një rrugë për t’u ringjitur në lartësinë e ëndrrave të tyre: Falë projekteve të zhvillimit dhe përmes ripohimit të pronësisë së tyre mbi politikën dhe pronën publike.

Ata janë të parët që duhet të përfshihen në idenë time për Technopolis-in në Elbasan: duke mësuar si të programojnë, si të kodojnë, si të lexojnë zhvillimet më të reja të teknologjisë dhe si të përgatiten për një shkollë gjithnjë e më sfiduese. Qendrat e Teknologjisë për të rinjtë në çdo lagje do të marrin këtë mision.

Ata janë të parët që duhet të regjistrohen në shkollat profesionale për të mësuar si të bëjnë përpunim imazhi filmik, fotografi, në shkollën e kineastëve dhe në drejtimet e tjera profesionale që do të aktivizojmë në Elbasan, ndërsa ngremë këtu studiot e qytetit të filmit.

Ata janë më të preferuarit për të nxjerrë nga harresa zejet tona të mrekullueshme, ndërsa Muzeu i Gjallë i Zejeve do të nisë të ngrihet – brenda parkut tematik tregtar të Elbasanit.

Guximi për të ëndërruar është atribut i rinisë dhe shenjë e saj brenda cilitdo prej nesh, pavarësisht moshës.

Unë jam këtu sepse mbetem i ri, mbetem një guximtar i fortë i një ëndrre të mirë, mbetem një njeri që dashuron sfidat, po aq sa fitoret dhe punon fort për to.

Si prind, si mësues dhe si qytetar i parë është detyra ime që t’u jap të rinjve hapësirën e virtytit dhe frymën e forcës që i nxit të kërkojnë më shumë, të arrijnë më tepër dhe të besojnë më ndershëm tek vetja.

Unë besoj tek Ndryshimi, sepse besoj tek rinia. Ata janë Ndryshimi, ata janë zemra e tij, janë motivi i tij, janë forca reale e Ndryshimit