Vendosni fjalën kyçe....

27-vjeçari ra në gjendje kome pasi u arrestua për vjedhje, policia nis hetimin e shkaqeve


Policia e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me rënien në koma të një 27-vjeçari i cili u arrestua për vjedhje. Jani Rustemaj ndodhet në gjendje kome ndërsa e ema ngriti dyshimin se kjo kishte ardhur si pasojë e pakujdesisë nga ana e policisë.

Ngjarja në fjalë nuk u raportua nga ana e policisë. Megjithatë pas daljes së lajmit në media, policia e Tiranës tha se ka nisur hetimet për shkaqet.

Sipas bluve, 27-vjeçari është arrestuar më 12 prill, dy ditë më pas ai filloi të shfaqte probleme shëndetësore dhe mori ndihmë mjekësore.

Ndërsa më 13 prill, i riu është shoqëruar në gjykatë ku është njohur me masën e sigurisë ‘Arrest me burg’.

Policia bën me dije se më 14 prill Rustemaj shfaqi sërish shqetësime, por Burgu 313 nuk e mori përsipër sepse kishte mbingarkesë dhe ai u mbajt në burgun e sigurisë. Më pas, më datë 17 prill 27-vjeçari është shoqëruar në QSUT.

E ëma e të riut kallëzoi në polici në fund të prillit, pasi i biri përfundoi në gjendje kome.

Njoftimi

“Nisur nga një deklaratë e datës 30 prill 2023, të CENTRE FOR LEGAL EMPOWERMENT-CLE si dhe nga interesimi i mediave sqarojmë si më poshtë:

Më datë 12.04.2023, është arrestuar shtetasi J. R., për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. (Për këtë arrestim është dhënë njoftim për shtyp me datë 13.04.2023).

Me datë 14.04.2023, kohë që ky shtetas ka qenë në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë, ka shfaqur shqetësime shëndetësore, dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.

Me datë 15.04.2023, ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kjo Gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Me datë 16.04.2023, pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe ky i arrestuar është dërguar në IEVP-313, Tiranë. Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Me datë 17.04.2023, shtetasi J. R., ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, me datë 19.04.2023, në ambientet e spitalint “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më datë 30.04.2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja P. R., (nëna e të arrestuarit) e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Drejtorinë e AMP-së Tiranë, kanë administruar kallëzimin e kësaj shtetaseje, kanë sekuestruar të gjithë praktikën procedurale dhe shëndetësore për këtë të arrestuar, kanë pyetur më cilësinë e personit që tregojnë rrethana të dobishme për hetimin, disa punonjës Policie dhe stafin mjekësor të Bllokut të Sigurisë, dhe materialet do ti kalojnë për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”