Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj takon Kryeministrin Kurti: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit garanci për paqen


Presidenti Bajram Begaj, priti sot Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, Presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis  Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.