Vendosni fjalën kyçe....

Berisha dhe Këlliçi takim me të rinjtë e FRPD-së: Rama kontrollon më shumë pushtet se diktatori Hoxha


Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në krah të kandidatit Belind Këlliçi për Bashkinë e Tiranës në një takim me të rinjtë e FRPD.

Berisha tha se sot Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i vitit 1990 që bazohej në doktrinën marksiste-leniniste, sot bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve dhe për këtë ai akuzoi Ramën, që sipas Berishëas, Rama kontrollon më shumë pushtet se diktatori Hoxha.

 

Të rinjtë ishin ata që bënë revolucionin demokratik të dhjetorit ‘90 dhe themeluan PD-në.

Të rinjtë ishin pa asnjë mëdyshje ata të cilët çuan mesazhin, dritën e lirisë dhe u përballën me monizmin më stalinist të Europës në atë kohë dhe u bënë promotorët e fitores së PD-së.

Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës dhe ndër më të izoluarit e planetit.

Shqipëria kishte nevojë për mendje të hapura dhe mendjet e hapura ishin mendjet e të rinjve. Në këtë kontekst, ata luajtën një rol kryesor në të gjitha reformat dhe transformimet e vendit.

Sot, pas 30 vitesh, Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i viteve ’90, që bazohej në doktrinën çnjerëzore marksiste, monizmi i sotëm bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Shqipëria sot ndodhet në një mobokraci”.

 “Në këtë kontekst, kjo mbështetje e juaj merr një rëndësi edhe më të veçantë. PD dhe forumi i saj, u themeluan dhe mbetën gjithnjë forca më perëndimore e vendit, lokomotiva të vërteta të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE.

Në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë, Edi Rama kontrollon në mënyrë të hekurt të gjitha pushtetet.

Për gabime të rënda edhe të PD, e cila bojkotoi zgjedhjet lokale, sot në të gjithë Shqipërinë, PD ka vetëm një pushtetar vendor, kryebashkiakun e Shkodrës”, u shpreh Berisha.

Ai citoi ish-Presidentin amerikan për të theksuar rrezikun që i kanoset demokracisë, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se kontaktoi kryezbuluesin e FBI si vrasës me pagesë ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.

“Ne erdhëm në një situatë kritike. Ronald Regan e thotë me të drejtë se demokracisë i mjafton një gjeneratë për t’u zhdukur.

Në njëfarë mënyre kjo po ndodhte në Shqipëri.

Edi Rama, që shëtit nëpër botë duke e ekspozuar shgarravina, të cilat dy kritikë i cilësuan shgarravina të një adulti të droguar, arriti të korruptojë kryezbuluesin e SHBA, të FBI, ta kontraktojë atë si vrasës me pagesë ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.

Ky skandal ka marrë përmasa botërore, por në ato kushte, kur vërtet po bëheshin përpjekje për të asgjësuar PD-në si forcë të të vërtetë politike opozitare, ishin të rinjtë, forumi rinor, i pari që mbështeti nismën me të cilën unë kundërshtova vendosmërisht atë përpjekje shkatërrimtare për opozitën shqiptare.

Ishte forumi rinor, drejtuesit e saj, ata të cilët kaluan me vendosmëri në mbështetje dhe ndërmorën procesin e rithemelimit të PD-së.

McGonigal nuk ishte një bajloz i zi solitar. Edi Rama kishte korruptuar edhe të tjerë. Megjithatë ne qëndruam”, deklaroi Berisha.